Site icon Telegrafi

Lista Serbe reagon pas vendimit për shpalljen e organizatave terroriste, kërkojnë nga KFOR-i dhe EULEX-i të reagojnë

Foto: Arkiv

Lista Serbe ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës ditën e enjte shpalli terroriste organizatat serbe “Mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada) – të cilat veprojnë në pjesën veriore të vendit.

Në reagimin e bërë, Lista Serbe pretendon se këto janë plane të kryeministrit Albin Kurti, për të vazhduar me arrestimin e serbëve, transmeton Telegrafi.

“Planet që dalin nga ky vendim tregojnë se në vend të shtensionimit në bazë të thirrjeve të gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe mbarë popullit serb, Kurti po planifikon përshkallëzim të mëtejmë, represion dhe konsolidim të pushtetit parapolicor dhe pushtues në veri të Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Lista Serbe edhe një herë u bëri thirrje misioneve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, KFOR-it dhe EULEX-it që të vendosin menjëherë forcat e tyre në veri të Kosovës në mënyrë që të “parandalojnë Kurtin që të realizojë planin e tij djallëzor dhe të rrezikojë paqen”.

Lexo po ashtu Shpallen terroriste organizatat serbe “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së enjtes i ka shpallur terroriste organizatat serbe “Mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada).

Kryeministri Albin Kurti para kabinetit qeveritar tha se këto dy organizata paraqesin kërcënim serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë.

“Bazuar në vlerësimin e institucioneve të sigurisë, këto formacione ilegale paraqesin kërcënim serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë. Për këtë e nisur nga fakti se kërcënimi ndaj rendit juridik e kushtetues ndaj vendit tonë është i pakompromis e duke pasur për qëllim mbrojtjen e të gjithë qytetarëve pa dallim, ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’ shpallen organizata terroriste”, u shpreh ai. /Telegrafi/

Exit mobile version