Site icon Telegrafi

Lista Serbe merr mesazhe të qarta nga SHBA-ja

Dy zyrtarë të Listës Serbe kanë qëndruar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, Slavko Simiq, tha se atyre u janë përcjellë mesazhe të qarta nga Washingtoni, por nuk tregoi për çka bëhet fjalë saktë.

Ndërkohë kushtet e Listës Serbe për këto zgjedhje janë reduktuar në një, në atë që ka pranuar Qeveria ta bëjë – tërheqjen e njësive speciale të policisë nga ndërtesat komunale.

“Në një atmosferë frike për mbijetesën dhe sigurinë e popullit serb, është e pamundur të zhvillohet një fushatë normale. Është e nevojshme që ato njësi të posaçme të tërhiqen, kjo është kërkesa e serbëve, kërkesa e Bashkimit Evropian dhe kërkesa e SHBA-së”, ka thënë Simiq.

Qeveria e Kosovës, bazuar në Marrëveshjen e Bratislavës, ka nisur tërheqjen e njësive speciale nga ndërtesat në veri në masën 25 për qind.

Po ashtu, ka paralajmëruar mbajtjen e zgjedhjeve pas verës.

Më herët, Bashkimi Evropian pati paraqitur një plan 3-pikësh për uljen e tensioneve, e që parashihte: pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

Simiq gjatë intervistës nuk pranoi të thotë nëse Lista Serbe do të marrë pjesë në zgjedhjet e reja.

“Pa u plotësuar kushtet që na kanë vënë qytetarët, nuk mund ta diskutojmë mundësinë e zgjedhjeve”, deklaroi ai.

Ai ka mohuar se Lista Serbe është e varur nga Beogradi. Por tha se populli serb në Kosovë pa Beogradin s’do të mund të ekzistonte.

Serbët bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq.

Më pas, kur kryetarët e zgjedhur u vendosën në ndërtesat kryesore komunale me asistimin e policisë, nisën trazirat e serbëve. Ato arritën kulmin më 29 maj, kur u lënduan 93 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre me armë zjarri.

Simiq i pyetur për këtë dhunë, si përgjigje dha: “I keni harruar edhe 53 serbë të lënduar”.

Exit mobile version