Telegrafi

Lista Serbe dhe Petkoviqi reagojnë pas arrestimit të serbit në veri

Lista Serbe ka reaguar pas arrestimit të kryesit të veprave penale “Prishja e rendit kushtetues të Kosovës”, serbit, Sreçko Sofronijeviq.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Lista Serbe e ka konsideruar si ‘terror’ arrestimin, duke akuzuar kështu se ka një listë të arrestimeve të përgatitura nga Policia e Kosovës.

Sipas listës serbe, arrestimi i Sofronijeviq është vazhdim “i terrorit të regjimit në Prishtinë”.

“Arrestimi i sotëm i bashkëqytetarit tonë Srecko Sofronijeviq është vazhdim i terrorit të regjimit në Prishtinë mbi popullin tonë”, shkruhet në postimin e tyre.

Arrestimi i serbit, Sreçko Sofronijeviq është bërë në Bërnjak, dhe të njëjtit i është caktuar masë ndalimi prej 48 orësh.

Sofronijeviq ishte në kërkim nga autoritetet e Kosovës, si pjesëmarrës në përplasjet e serbëve kundër aksionit të Policisë së Kosovës në parandalimin e mallrave kontrabandë.

Lexo po ashtu Arrestohet një serb në Bërnjak për veprën penale “prishje të rendit kushtetues të Kosovës”

Edhe e ashtuquajtura Zyra për Kosovë në qeverinë e Serbisë, ka reaguar sot ndaj autoriteteve kosovare, për arrestimin e serbit Sreçko Sofronijeviq.

Në një deklaratë të lëshuar, kjo zyre duke propaganduar kërkon që në këtë rast të përfshihet bashkësia ndërkombëtare.

Anise, Sofronijeviq ishte i kërkuar nga autoritetet e sigurisë së Kosovës për vepra penale në përleshjet e veriut të vendit në 2021-tën, zyra për Kosovë në qeverinë e Serbisë gënjen se Prishtina ”nuk garanton dhe respekton të drejtat për serbët e Kosovës”.

Ndërsa dhe nuk e mohojnë më pas se ai deri më sot, pavarësisht veprave penale, ”ka jetuar i qetë në shtëpinë e tij dhe familjen në veri të Kosovës”.

Reagimi i tyre tutje thotë se arrestimi i tij, po bëhet për të frikësuar popullin serb dhe siç specifikohet ”në këto zona s’do të ketë kurrë paqe derisa në pushtet të jetë kryeministri Albin Kurti”./Telegrafi/