Ata mund jenë të bukur, të pasur dhe të famshëm, mirëpo edhe yjet janë njerëzorë sikur të gjithë ne, që do të thotë se janë të prirë që të sëmurën.
Disa të famshëm vuajnë nga sëmundje kronike që mund të kenë ndikim në përditshmërinë e tyre.
Në vijim është lista me të famshmit që kanë sëmundje kronike:
Selena Gomez: Lupus
Këngëtarja e muzikës pop, Selena Gomez, në vitin 2013 e anuloi turneun muzikor pasi ishte diagnostikuar me lupus. Pas diagnozës, ajo iu nënshtrua një sërë trajtimesh dhe bëri një pauzë nga syri publik.
Lupusi eritematoid sistemik që njihet shkurt si lupus, është një sëmundje autoimune, në të cilën sistemi imunitar i organizmit i sulmon gabimisht indet e shëndetshme në shumë pjesë të trupit.
Simptomat dallojnë te njerëzit e ndryshëm dhe mund të jenë nga të lehtë deri në të rëndë. Simptomat më të shpeshta janë dhimbja dhe ënjtja e nyjave, ethet, dhimbja e gjoksit, humbja e flokëve, ulcerat në gojë, ënjtja e nyjave limfatike, ndjenja e lodhjes dhe skuqja e lëkurës më së shpeshti në fytyrë. Zakonisht ka periudha të sëmundjes dhe periudha të lehtësimit, kur simptomat janë më të lehta.
Nick Cannon, Lady Gaga, Toni Braxton dhe Seal, janë disa të famshëm të tjerë që kanë lupus.
Charlie Sheen: HIV
Aktori Charlie Sheen i kryesoi titujt e mediave në vitin 2015 kur njoftoi gjatë një interviste në NBC se ishte HIV pozitiv. Ai e kishte mësuar diagnozën katër vite para se ta bënte publike.
Mirëpo, HIV apo virusi i imunodeficiencës humane, tashmë nuk konsiderohet si një dënim me vdekje siç ishte disa dekada më parë. Vetëm në SHBA mbi 1.2 milion njerëz jetojnë me HIV.
HIV është një virus që e sulmon sistemin imunitar dhe shkatërron një lloj të qelizave të bardha të gjakut (qelizat ‘T helper’). Në ditët e sotme trajtimi antiretroviral është mjaft efektiv dhe u mundëson njerëzve me HIV që të bëjnë një jetë normale dhe të shëndetshme.
Virusi mund të merret përmes lëngjeve trupore, spermës ose gjakut, por jo përmes djersës, pështymës ose urinës.
Njerëzit që janë HIV pozitivë mund të sëmuren me AIDS (sindromën e imonodeficiencës humane të fituar), një sëmundje vdekjeprurëse gjatë të cilës sistemi imunitar bëhet shumë i dobët për t’i luftuar sëmundjet.
Magic Johnson, Jonathan Van Ness e Danny Pintauro, janë disa personalitete të njohura që jetojnë me HIV.
Kim Kardashian: Psoriazë
Ylli televiziv njoftoi se vuan nga psoriaza në vitin 2011, gjatë një episodi të “Keeping Up With the Kardashians”, asokohe ishte 30 vjeçare. Edhe nëna e saj, Kris Jenner, e ka të njëjtën sëmundje.
Psoriaza është një gjendje kronike autoimune e lëkurës që shkaktohet nga aktiviteti i shtuar i sistemit imunitar. Qelizat e lëkurës rriten shumë shpejt dhe grumbullohen në lëkurë duke i shkaktuar ndryshimet tipike për këtë gjendje: njolla të kuqe të mbuluara me shtresa të bardha të lëkurës.
Këto ndryshime mund të paraqiten kudo në lëkurë, por më së shpeshti në bërryla dhe gjunjë, trup dhe rrënjë të flokëve. Psoriaza mund të jetë nga forma e lehtë (përfshin vetëm dy për qind të trupit), deri në formën e rëndë (që mbulon nga 10 deri në 80 për qind të sipërfaqes trupore).
Fatmirësisht, terapia dhe ndryshimet në stilin jetësor mund ta kontrollojnë këtë gjendje edhe në rastet më serioze.
Cara Delevingne, Liam Gallagher, Jon Lovitz e LeAnn Rimes, janë në mesin e yjeve që vuajnë nga kjo sëmundje.
Michael J. Fox: Sëmundja Parkinson
Aktori Michael J. Fox i njohur për filmat ikonikë, “Back to the Future”, është diagnostikuar me sëmundjen Parkinson në vitet e nëntëdhjeta kur ishte 30 vjeçar, ndërsa me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme dhe trajtimin e vazhdueshëm, sëmundja vazhdimisht po përparon.
Sëmundja Parkinson është një çrregullim progresiv i sistemit nervor që e prek lëvizjen. Simptomat fillojnë gradualisht, nganjëherë duke nisur me tremor (dridhje) vetëm në njërën dorë që vërehet me vështirësi.
Krahas tremorëve, shkakton edhe ngurtësi ose lëvizje të ngadalta. Në stadet e hershme, fytyra mund të tregojë pak ose aspak mimikë. Krahët mund të mos lëkunden gjatë ecjes, të folurit bëhet i butë ose i paqartë.
Simptomat përkeqësohen me përparimin e sëmundjes. Sëmundja Parkinson nuk ka shërim, mirëpo ka terapi që dukshëm e përmirësojnë gjendjen. Në raste të caktuara, është e nevojshme ndërhyrja kirurgjike në tru.
Rokeri Ozzy Osbourne është nga yjet e fundit që ka njoftuar se vuan nga sëmundja Parkinson.
Tom Hanks: Diabet
Gjatë një interviste me Late Show with David Letterman në vitin 2013, Tom Hanks njoftoi se vuante nga diabeti tip 2.
Aktori ka thënë se ka pasur probleme me nivelin e lartë të sheqerit në gjak me vite të tera qëkur mjeku i tij i tha se e kishin arritur kriterin për t’u konsideruar si diabet.
Diabeti tip 2 është forma më e shpeshtë e diabetit (95 për qind të rasteve). Në këtë rast ose nuk prodhohet mjaftueshëm insulinë ose qelizat janë insulinë rezistente dhe si rrjedhojë rritet glukoza në gjak. Ky lloj i diabetit zhvillohet te të rriturit.
Aktorja Halle Berry dhe personaliteti televiziv Paula Deen, po ashtu kanë treguar se kanë diabet.
Selma Blair: Skleroza multiple
Selma Blair është diagnostikuar me sklerozë multiple në muajin gusht të vitit 2018. Asokohe, aktorja kishte thënë se të tjerët duhet t’i ndihmojnë për t’u veshur dhe për nevojat tjera në baza ditore.
“Jam e paaftë. Rrëzohem nganjëherë. Më bien gjërat. Kujtesa ime është e turbullt. Ndërsa ana ime e majtë kërkon udhëzime nga një GPS i dëmtuar. Por, po ia dalim”. Dhe po arrij të qesh, teksa nuk e di me saktësi se çfarë do të bëj, por do ta jap më të mirën”, kishte rrëfyer aktorja.
Skleroza multiple është një sëmundje demielinizuese, në të cilën janë të dëmtuar mbështjellësit e qelizave nervore në tru dhe në palcën kurrizore (medulla spinalis).
Ky dëmtim e pengon aftësinë e pjesëve të sistemit nervor që të komunikojnë duke shkaktuar një varg shenjash dhe simptomash fizike, mentale dhe nganjëherë edhe probleme psikiatrike.
Në simptomat specifike përfshihen problemet në shikim (nistagmus, vizion i dyfishtë, neurit optik), dobësia dhe spazmat muskulore, probleme me ndjesinë, koordinimin dhe baraspeshën, lodhje, dhimbje, vështirësi në kontrollimin e urinimit dhe defekimit, dhe shumë simptoma të tjera.
Aktorja tjetër hollivudiane, Christina Applegate, si edhe moderatori Montel Williams, janë personalitete tjera të njohura që vuajnë nga kjo sëmundje.
Lena Dunham: Endometrioza
Aktorja dhe skenaristja Lena Dunham në vitin 2015 përshkroi dekadën e vuajtjes së saj me endometriozën. Ajo tregoi se që nga puberteti kishte pasur menstruacione të çrregullta, dhimbje abdominale dhe lodhje kronike. Jeta e saj ndryshoi në momentin kur mësoi se vuante nga endometrioza.
Endometrioza është një çrregullim i dhimbshëm, në të cilin indi që normalisht ndodhet brenda mitrës (në endometrium) rritet jashtë saj. Endometrioza më së shpeshti përfshin vezoret, tubat e fallopit dhe indin që ndodhet në pelvik.
Susan Sarandon, Padma Lakshmi dhe Jillian Michaels janë të famshmet tjera me endometriozë.
Elisabeth Hasselbeck: Sëmundja celiake
Moderatorja e famshme, Elisabeth Hasselbeck, vuan më shumë se një dekadë nga sëmundja celiake. Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më shumë se dy milionë njerëz vuajnë nga kjo gjendje.
Sëmundja celiake është një intolerancë e organizmit ndaj glutenit – albuminë që gjendet në drithëra Kjo sëmundje mund të zhvillohet në çdo kohë të jetës, por gjithashtu mund të shkaktojë sëmundje të tjera si diabeti tip 2, dermatiti, anemia ose skleroza e shumëfishtë, transmeton Telegrafi.
Gluteni është një albuminë e pranishme në grurë, elb, thekër dhe tërshërë. Njerëzve që janë të predispozuar gjenetikisht, marrja e glutenit u shkakton inflamacion në organizëm.
Përveç shmangies së ushqimeve të pasura me gluten, nuk ka medikamente kundër kësaj sëmundjeje.
Aktorja Zooey Deschanel është në mesin e yjeve që vuajnë nga sëmundja celiake.
Bret Michaels: Sëmundje të zemrës
Kantautori amerikan, Bret Michaels, i njohur si ish-vokalisti i grupit “Poison”, ka pasur një atak iskemik në të kaluarën si pasojë e problemeve shëndetësore të zemrës, kur edhe vendosi një pajisje për të rregulluar funksionimin normal të zemrës.
E gjatë është lista e personaliteteve të njohura që kanë forma të ndryshme të sëmundjeve zemrës, duke përfshirë moderatorin David Letterman, ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, këngëtarja Toni Braxton që ka edhe gjendje të tjera kronike, etj.
Jillian Michaels: Sindroma e vezoreve policistike
Personaliteti i famshëm amerikan, Jillian Michaels, krahas endometriozës, vuan edhe nga Sindroma e vezoreve policistike (PCOS).
Gratë që kanë PCOS vuajnë nga mungesa e ekuilibrit hormonal që çon në probleme me periodat e tyre dhe aftësinë për të mbetur shtatzënë. Për fat të mirë ka disa metoda, përfshirë marrjen e kontraceptivëve që mund të ndihmojnë në trajtimin e kësaj gjendjeje.
Tiparet kryesore të sindromës së vezoreve policistike janë cikli menstrual i parregullt me mungesë gjakderdhjeje menstruale deri në gjysmë viti e më gjatë, konceptim i vështirë ose infertilitet dhe defekte të shumta kozmetike si rritja e qimeve në trup dhe fytyrë, puçrra fytyre, seborre dhe rritje e rënies së flokëve.
Megjithatë, kjo sindromë shoqërohet me një sërë komplikimesh të mundshme që mund të rrezikojnë ndjeshëm shëndetin e gruas gjatë jetës së saj. Dihet një rritje e incidencës së presionit të lartë të gjakut ose sëmundjeve kardiovaskulare, zhvillimit të diabetit, kancerit të mukozës së mitrës, vezoreve dhe gjirit në krahasim me gratë që nuk vuajnë nga ky çrregullim.
Victoria Beckham e Emma Thompson janë të famshmet që vuajnë nga sindroma e vezoreve policistike. /Telegrafi/