Telegrafi

Lingard u përfshi në një zënkë verbale me tifozët e Arsenalit, pasi u hodh një monedhë drejt tij

Jesse Lingard, Ashley Young (Foto: Getty Images/Guliver/Twitter)

Jesse Lingard është përfshirë në një grindje me fjalë me tifozët e Arsenalit, pasi një monedhë ishte hedhur në drejtim të mesfushorit të Manchester Unitedit në ndeshjen e të premtes mbrëma mes dy skuadrave.

Djajtë e Kuq fituan me rezultat 3-1 në Emirates kundër Topçinjve, për të siguruar kualifikimin në raundin e pestë të Kupës FA.

Alexis Sanchez e zhbllokoi rezultatin kundër ish-skuadrës së tij, para se Lingard ta dyfishonte rezultatin.

Pierre Emerick-Aubameyang u dha shpresë vendasve në fund të pjesës së parë, mirëpo Anthony Martial e vulosi fitoren e Djajve të Kuq duke realizuar në gjysmën e dytë.

Lexo po ashtu Lajmet për Jesse Lingard

Kur po afrohej fundi i ndeshjes, Marcus Rashford dhe Sead Kolasinac patën një fërkim me njëri-tjetrin, ndërsa Lingard ishte njëri nga futbollistët që ndërhyri për ta qetësuar situatën.

Mirëpo, në një moment, mesfushori u kthye kah tifozët dhe filloi një zënkë verbale me ta. Më pas u kuptua se tifozët e kishin gjuajtur 26-vjeçarin me një monedhë.

Xhirimet më pas treguan se Ashley Young e kishte marrë monedhën dhe ia kishte dorëzuar gjyqtarit anësor.

Menjëherë pas incidentit, trajneri Ole Gunnar Solskjaer e zëvendësoi Lingard, ndërsa vlen të theksohet se kjo ishte fitorja e tetë rresht nën drejtimin e strategut norvegjez, i cili e zëvendësoi Jose Mourinhon. /Telegrafi/