Site icon Telegrafi

Liberalizimi i vizave, shpresën te Gjermania?

Shteti gjerman sot merr kryesimin e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, ndërsa qytetarët e Kosovës të cilët vazhdojnë të jenë të izoluar dhe të vetmit në Evropë që nuk iu mundësohet lëvizja e lirë i kanë shpresat te Gjermania se mund të lëvizë procesin rreth liberalizimit të vizave, megjithëse në programin e publikuar Kosova nuk përmendet fare.

Dialogu në mes të Kosovës dhe Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave u iniciua më 19 janar 2012, ndërsa edhe pas tërë këtyre viteve qytetarët nuk e gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë, shkruan Telegrafi.

Liberalizimi i vizave i është kërkuar që të ndodhë edhe emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i cili muajin e kaluar qëndroi për vizitë në Kosovë.

Anëtarja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel, i ka dërguar ditë më parë një letër kancelares gjermane, Angela Merkel dhe ministrit të Brendshëm gjerman Horst Seehofer, duke i nxitur ata që të vendosin agjendën e liberalizimit të vizave të Kosovës në agjendën e Këshillit të Bashkimi Evropian gjatë presidencës gjermane.

Edhe i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka reaguar pasi 32 anëtarët e Parlamentit të Bashkimit Evropian kanë nënshkruar një letër drejtuar kancelares gjermane Angela Merkel dhe ministrit të Brendshëm, Horst Seehofer.

Në letrën e dërguar, siç është bërë e ditur, u është kërkuar që çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën ta vendosin në agjendën e Këshillit të BE-së gjatë Presidencës gjermane.

Dhe lidhur me këtë, Grenell ka thënë se ky është një lajm i mirëpritur, edhe nëse bëhet fjalë vetëm për disa industri të synuara të biznesit.

“Më në fund. Ky është një lajm i mirëpritur edhe nëse është vetëm për disa industri të synuara të biznesit”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Viola von Cramon-Taubadel në një intervistë për Telegrafin pati thënë se Bashkimi Evropian po humb besueshmërinë pasi nuk janë duke lejuar që kosovarët të udhëtojnë lirshëm. Ajo pati thënë se lidhur me liberalizimin e vizave ka një mundësi gjatë presidencës gjermane të Bashkimit Evropian dhe kjo duhet të shfrytëzohet.

Viola von Cramon ka thënë se Kosova ka shumë për të bërë në luftën kundër korrupsionit, nepotizimit dhe sundimit të ligjit.

“Unë besoj se kjo është një mundësi, të cilën duhet ta përdorim. Kanë kaluar gati dy vjet, që i gjithë liberalizimi i vizave ka ngecur në Këshill. Berlini e kupton atë që është në rrezik, dhe shumica dërmuese e Parlamentit Evropian gjithashtu janë në favor të kësaj. Ne po humbasim besueshmërinë tonë pasi që nuk jemi duke lejuar që kosovarët të udhëtojnë lirshëm në BE”, tha ajo.

Lexo po ashtu Gjermania nga 1 korriku kryeson BE-në, von Cramon: Të shfrytëzohet kjo mundësi për liberalizimin e vizave për kosovarët

Por, von Cramon ka thënë se Kosova dhe institucionet e saj duhet të fokusohen shumë më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit.

“Kosova ka shumë për të bërë në luftimin kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit, për shembull. Por është një detyrë e madhe luftimi i nepotizmit dhe kapja e shtetit, e cila nuk është një detyrë e lehtë. Ne ndonjëherë kemi qenë duke u përqendruar shumë në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit, por duhet të sigurohemi që jeta e qytetarëve do të përmirësohet me të vërtetë. Në këtë aspekt, Parlamenti Evropian ka një rol të rëndësishëm, sepse ne mund ta shtyjmë qeverinë të zbatojë rregulloret, të cilat ata tashmë i kanë miratuar, si ajo që ka të bëjë me ndotjen e ajrit. Por ne gjithashtu kemi ndikim në Komisionin Evropian dhe se si përdoret aktualisht mbështetja që po jep BE-ja dhe çfarë po mbështesim. Një nga pjesët më të rëndësishme të punës sonë si raportues të qëndrueshëm janë raportet vjetore të progresit, ku ne mund të sinjalizojmë qartë atë që shohim dhe cilat janë pritjet tona. Fatkeqësisht, ka pasur një vonesë të madhe në këto raporte, pjesërisht për shkak të Komisionit të ri dhe metodologjisë së tyre të re për zgjerim dhe më pas kriza shëndetësore shkaktoi po ashtu vonesa, por ne presim së pari raportin e progresit të Komisionit për në shtator dhe gjithashtu prezantimet e pozicionit të Parlamentit pritet për vjeshtë”, ka thënë për Telegrafin, von Cramon.

Ndryshe, nën moton “Së bashku për rimëkëmbjen e Evropës”, Gjermania ka krijuar zonat e saj të fokusit për kohën e kryesimit të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Sipas programit të publikuar në faqen www.eu2020.de, përcjell Telegrafi, fushat e fokusit të Presidencës gjermane ndër tjerash janë edhe tejkalimi i krizës së coronavirusit për një kohë të gjatë si dhe rimëkëmbja ekonomike; një Evropë më e fortë dhe më inovative; një Evropë e drejtë dhe e qëndrueshme; një Evropë e sigurisë dhe vlerave të përbashkëta; si dhe një Evropë e fortë në botë.

Lexo po ashtu Publikohet programi i Këshillit të BE-së gjatë presidencës gjermane – Kosova nuk përmendet fare

Por, derisa flitet për një perspektivë të besueshme të pranimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor, bie në sy fakti që aty Kosova nuk përmendet fare.

Ndryshe, Këshilli është organi kryesor vendimmarrës i BE-së. Së bashku me Parlamentin Evropian bartë përgjegjësinë për miratimin e ligjeve të BE-së. Këshilli i BE-së përbëhet nga ministrat e qeverive nacionale të të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Në takime marrin pjesë ministrat përgjegjës për temën që diskutohet.

Çdo gjashtë muaj, një shtet anëtar i ndryshëm merr përsipër presidencën e BE-së, që nënkupton kryesimin e këtyre takimeve dhe përpilimin e agjendës së përgjithshme politike.  /Telegrafi/

Exit mobile version