Fillim i ngadaltë i sezonit 2021/22 me Manchester United që mban vendin e gjashtë në tabelën e Ligës Premier , ka vënë dyshime se ‘Djajtë e Kuq’ do të arrijnë të marrin një vend në katërt të parë.
Nëse ata humbasin kualifikimin në Ligën e Kampionëve, Cristiano Ronaldo mund të vendosë të largohet nga Manchester United verën e ardhshme dhe të provojë fatin e tij diku tjetër.
Këto janë pesë nga destinacionet e mundshme për Ronaldon nëse ai vendos të largohet nga ‘Djajtë e Kuq’ në afatin kalimtar të verës 2022.
Paris Saint-Germain
Kontrata e Kylian Mbappe skadon në qershor dhe Real Madridi është i interesuar për nënshkrimin me francezin. Ronaldo duket një kandidat i mirë për të mbushur boshllëkun e sulmuesit të PSG-së. Nëse skuadra e Ligue 1 nënshkruan me Ronaldon, ata do të bëhen skuadra e parë që bashkon yllin portugez dhe Lionel Messin.
Real Madrid
Ronaldo u largua nga Los Blancos në vitin 2018 për t’u bashkuar me Juventusin dhe, që nga ajo verë, ai është lidhur vazhdimisht me një rikthim në “Santiago Bernabeu”. Portugezi ruan një marrëdhënie të mirë me Real Madridin dhe një rikthim i mundshëm nuk duhet të përjashtohet.
Sporting Lisbona
Në të kaluarën, sulmuesi i Manchester United la të kuptohet për një pension të mundshëm në klubin e tij të fëmijërisë Sporting, ku ai luajti përpara se të bashkohej me Djajtë e Kuq në vitin 2003. Nëse Ronaldo vendos të kthehet në vendin e tij të lindjes për të varur këpucët, Lisbona duket se është opsioni i vetëm.
Inter Miami
Në vitin 2020, pronari i Inter Miami, David Beckham shprehu dëshirën e tij për të sjellë yje si Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo për të rritur emrin e markës së klubit. “Ju me të vërtetë dëshironi lojtarët më të mirë dhe, nëse keni mundësinë të sjellim lojtarë si Cristiano apo Messi, do të ishte mirë”, ka thënë Beckham në atë kohë.
Barcelona
Mund të duket praktikisht e pamundur, por asgjë nuk duhet të përjashtohet në futboll. Në fakt, ish- drejtori i Barcelonës, Toni Freixa, beson se ky mund të jetë shansi i Blaugranëve për ta rikthyer Ronaldon në La Liga.
“Nëse ka një kohë për një çmenduri të tillë, atëherë është tani”, ka thënë Freixa. /Telegrafi/