Site icon Telegrafi

​Largimi i masave të BE-së, Bislimi: Kosova s’ka pranuar të shantazhohet

Zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane dhe dialog, Besnik Bislimi ka thënë se nuk dëshiron të spekulojë nëse do t’i hiqen masat ndëshkuese Kosovës, në mbledhjen e sotme të Komitetit Politik dhe të Sigurisë (PSC).

Ai tha se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për largimin e masave, megjithëse shtoi se ka pasur kërkesa nga vendet anëtare që kanë kërkuar koncensione shtesë por Kosova sipas tij s’ka pranuar të shantazhohet.

Lexo po ashtu Borrell rekomandon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

“Ka pas në vazhdimësi jo nga Brukseli direkt por nga vendet anëtare edhe kërkesa që kanë shkuar përtej arsyes që janë vendosur masat, janë kërkuar koncesione shtesë, por Kosova nuk ka pranuar të shantazhohet në këtë drejtim”, ka thënë Bislimi gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane.

Bislimi ka shtuar se masat kanë qenë të padrejta dhe ndaj Kosovës janë bërë kërkesa për koncesione shtesë dhe kjo sipas tij tregon që më së paku faji ka qenë i Republikës së Kosovës për vendosjen e këtyre masave.

Zëvendëskryeministri ka shtuar se kurrë nuk e kanë pasur të qartë procedurën e heqjes së këtyre të masave.

“Kurrë nuk kemi marrë sqarim të qartë se cila është procedura për heqjen e tyre. Nuk do të ketë votim për heqjen e tyre por mund të ketë kundërshtime nga një vend anëtarë për heqjen tyre. Por ka qenë dilema a duhet të hiqen menjëherë apo me dy hapa. Në fillim ka qenë ideja që masat të hiqen së pari në fillim të prillit e pastaj pjesa tjetër pas mbajtjes së zgjedhjeve në veri të vendit”, tha Bislimi.

Ai shtoi se rrjedhimisht nuk do të duhej të kishte asnjë vend anëtarë që të kundërshtonte heqjen e këtyre masave.

Ndryshe sot është raportuar se rekomandimi i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell është për largimin e masave. Siç ka raportuar Radio Evropa e Lirë në rekomandimin e tij, Borrell ka shkruar se “vendimi nga ana e Këshillit do të ishte sinjal politikë dhe do të kontribuonte në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Prishtinë-Beograd, që lehtësohet nga BE-ja, mund të ecë përpara”./Telegrafi/

 

Exit mobile version