Telegrafi

“Lamtumira” e Messit për PSG-në: The Times raporton se argjentinasi do të bëhet lojtari më i paguar në histori të MLS

Inter Miami është në prag të nënshkrimit të Lionel Messit, sipas raportimeve të fundit.

Ylli argjentinas do të jetë lojtar i lirë në fund të sezonit kur i skadon kontrata me Paris Saint-Germain.

Ylli 35 vjeçar është lidhur me një rikthim në Barcelonë për të luajtur nën urdhrat e ish-shokut të tij, Xavit.

Por, sipas The Times – ai do të bëhet lojtari më i paguar në historinë e MLS duke iu bashkuar klubit që menaxhohet nga David Beckham në fund të sezonit aktual.

Messi tashmë zotëron një apartament luksoz prej 5.5 milionë euro në Miami, dhe rregullisht pushon atje me familjen e tij.

Me Shtetet e Bashkuara që do të organizojnë Kampionatin Botror të ardhshëm, MLS do të ishte e etur të kishte Messin në mënyrë që të ngrinte më tej profilin e lojës së tyre vendase.

PSG mund të përpiqet të zgjasë kontratën e tij marramendëse prej 1.2 milionë euro në javë – por vendimi përfundimtar do të varet nga Messi. /Telegrafi/