Site icon Telegrafi

Lajçak flet sërish për sulmin në veri ku u vra një polic, nuk e cilëson terrorist

Foto: Arkiv

Ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka shkruar për rastin e djeshëm në veri, ku një polic mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos si pasojë e një sulmi terrorist që ndodhi ndaj tyre.

Lajçak në asnjë moment nuk e cilëson aktin e djeshëm si sulm terrorist, derisa flet për domosdoshmërinë e dialogut parandalues të dhunës.

“Me t’u kthyer nga New Yorku këtë mëngjes, më takoi lajmi tronditës për një sulm ndaj policëve të Kosovës në veri të Kosovës. Një akt i tillë frikacak i dhunës është thellësisht shqetësues dhe është në kundërshtim me vetë parimet e paqes dhe bashkëpunimit. Zemra ime është me viktimat, familjet, miqtë dhe kolegët e tyre. Ky sulm i tmerrshëm thekson më tej domosdoshmërinë e diplomacisë dhe dialogut parandalues, nënvizuar gjatë javës së kaluar, kur mora pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York”, ka shkruar Lajçak.

Lexo po ashtu Vrasja e policit në veri – reshterit Bunjaku sot i jepet lamtumira e fundit

Emisari i BE-së ka shtuar se në margjinat e javës së nivelit të lartë, ka diskutuar me drejtues dhe kolegë të shumtë nga e gjithë bota.

“Në një mënyrë apo tjetër, ne të gjithë theksuam rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit. Takova gjithashtu gjashtë presidentët nga Ballkani Perëndimor dhe zyrtarë të lartë të OKB-së, për të diskutuar mbi dinamikat rajonale. HR/VP Borrell organizoi gjithashtu një drekë tradicionale të Ballkanit Perëndimor për të harmonizuar mesazhet tona për këtë javë në skenën globale. Për të gjetur një rrugë përpara në rajon dhe në veçanti në Dialog, mbajta diskutime strategjike me partnerët tanë amerikanë”, ka shkruar tutje Lajçak.

Ai ka theksuar se ishte e mrekullueshme të kthehesha në OKB, por pas një jave të “takimit të shpejtësisë globale” ishte koha për t’u kthyer në Bruksel.

“Në ditët në vijim, do të fokusohem plotësisht në gjetjen e një rruge përpara’’, tha Lajçak. /Telegrafi/

Exit mobile version