Site icon Telegrafi

Lajçak për dialogun: Sulmi i 24 shtatorit ka ndryshuar shumë gjëra, për faktet që i kemi përcaktuar do të njoftoheni së shpejti

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, duke folur për vazhdimin e këtij procesi ka thënë se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ka ndryshuar shumë gjëra.

Ai pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka deklaruar se sulmi terrorist në veri të Kosovës duhet të hetohet plotësisht dhe sulmuesit të përballen me pasoja.

“Sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ka ndryshuar shumë gjëra dhe besoj se është shumë e qartë se duhet të hetohet plotësisht e sulmuesit të përballen me pasoja”, është shprehur Lajçak, duke shtuar se “dialogu duhet të vazhdojë edhe është shumë më i rëndësishëm se çdo herë”, raporton Telegrafi.

Lexo po ashtu Vazhdimi i dialogut, Lajçak: E kemi një plan, e diskutuam me Kurtin - por s'mund të jap detaje

Sipas tij, nëse nuk ka dialog mund të ketë përsëritje të përshkallëzimit dhe “këtë nuk e duam ne e besoj as ju nuk e doni”.

“Për këtë jemi këtu për të ecur përpara me procesin e normalizimit dhe të implementimit të atyre marrëveshjeve që janë pajtuar palët”.

Sa i përket hetimeve për sulmin e 24 shtatorit, Lajçak ka thënë se janë në vazhdim e sipër, ndërsa ka shtuar se BE-ja dhe NATO-ja janë shumë të angazhuara në përcaktimin e fakteve.

“Besoj se do të vijë koha shumë shpejt e do të informoheni për këtë gjë. Jemi të fokusuar në substancë. Janë ngjarje të paprecedentë dhe shumë serioze. BE-ja do të insistojë për hetime të plota dhe konstatime të qarta, nuk ka shmangie për sulmuesit”, ka theksuar emisari evropian. /Telegrafi/

 

Exit mobile version