I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të qëndrojë të martën në Prishtinë.
Kështu ka njoftuar presidenca e Kosovës, e cila thotë se takimi mes Vjosa Osmanit dhe Lajçakut do të zhvillohet nga ora 15:00.
“Në orën 15:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak”, thotë njoftim.
Theksohet se gjatë ditës së nesërme, Kosovën do ta vizitojnë edhe kryeministri i Holandës, Mark Rutte si dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel.
“Në orën 08:30, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim kryeministrin e Holandës, Mark Rutte si dhe kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel”, ka thënë njoftimi i Presidencës së Kosovës.
Sot, edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, konfirmoi se Lajçaku, me kërkesë të shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, do të qëndrojë në Kosovë dhe në Serbi “ditëve në vijim”.
BE-ja vazhdon të përsërisë thirrjet për të dyja palët që të bëjnë hapa të menjëhershëm për shtensionimin e situatës dhe të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve, që e ndërmjetëson Brukseli.
Këto thirrje u bënë edhe gjatë samitit të fundit të liderëve të BE-së që u mbajt javën e kaluar në Bruksel.
BE-ja po kërkon tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serb.
Po ashtu, blloku evropian po kërkon tërheqjen e kryetarëve të rinj nga ndërtesat komunale, shpalljen e zgjedhjeve në veri dhe zotimin publik të serbëve se do të marrin pjesë në votime.
Për shkak të mospërmbushjes së këtyre kërkesave, BE-ja ka nisur së zbatuari disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Por, në BE kanë thënë se “mbetemi të gatshëm të ndërmarrim masa edhe ndaj Serbisë nëse vlerësojmë se nuk po vepron sipas pritjeve”.
Zyrtarët në BE kanë thënë se masat ndëshkuese ia kanë komunikuar Kosovës më 28 qershor./Telegrafi/