Site icon Telegrafi

Lajçak dhe Ashton flasin për kandidaturën e Pahorit si lehtësues i dialogut Kosovë-Serbi

Në kuadër të konferencës së parë të Institutit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, të themeluar nga ish-presidenti i Republikës të Sllovenisë, Borut Pahor, u fol shumë për kandidaturën e tij për postin e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çështje të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Joformalisht, Pahor gëzon mbështetjen e disa vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe deri në hapjen e procesit të kandidimit duhet të presë mbështetjen zyrtare.

E lidhur me kandidaturën e zyrtarit slloven janë deklaruar Miroslav Lajçak, përfaqësuesi aktual i lartë i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si dhe baronesha Catherine Ashton, e cila e ka luajtur këtë rol mes viteve 2009 dhe 2014, transmeton Telegrafi.

Lajçak vuri në dukje njohuritë dhe përvojën e Pahorit në fushën e Ballkanit Perëndimor, e cila, sipas mendimit të Lajçakut, mund të jetë një faktor i rëndësishëm, shkruan N1.

Lexo po ashtu Pahor konfirmon se dëshiron të zëvendësojë Lajçakun në dialog

“Unë e njoh Borut Pahorin për një kohë të gjatë. Jemi takuar dhe kemi pasur diskutime për temën e situatës në Ballkanin Perëndimor. E di që ai është shumë i interesuar për atë që po ndodh në atë rajon dhe ka shumë njohuri për Ballkanin Perëndimor. Ky, për mendimin tim, është një faktor i rëndësishëm”, pohoi ai.

Ndërkohë, ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Catherine Ashton, e cila po merr pjesë në këtë konferencë në Lubjanë, tha se ka mendim pozitiv për Pahorin.

“Kam një mendim jashtëzakonisht të mirë për Borut Pahorin. Ai ka bërë shumë për Ballkanin Perëndimor, ndaj jam shumë e lumtur që na ftoi në Slloveni për këtë konferencë shumë të rëndësishme. Mendoj se Borut Pahor do të luajë një rol shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor”, tha Catherine Ashton.

Ndryshe, në muajin qershor do të ketë zgjedhjet për Parlamentin Evropian, i cili ndoshta do të konstituohet në fund të korrikut. Formimi i Komisionit Evropian do të zgjasë të paktën deri në fund të nëntorit ose në fillim të dhjetorit. Megjithëse Pahor aktualisht gëzon mbështetje në Bashkimit Evropian për pozicionin e lartpërmendur, situata mund të ndryshojë me lidershipin e ardhshëm të BE-së. /Telegrafi/

Exit mobile version