Site icon Telegrafi

Laboratorët e drogës, Kurti: Bandat kriminale të mbështetura nga Serbia do të dështojnë në veri

Policia e Kosovës të dielë ka shkatërruar trelaboratorë ilegale të drogës në veri të Kosovës.

Kryeminsitri Albin Kurti, këtë aksion të Policisë e ka quajtur një fitore e qartë për sundimin e ligjit.

Ai ka thënë se bandat kriminale të sponsorizuara nga Serbia nuk do të ndalen para asgjëje – duke përfshirë barrikadat e armatosura dhe sulmet e dhunshme ndaj policies.

“Policia e Kosovës ka shkatërruar dje 3 laboratorë ilegale të drogës në veri të Kosovës, një fitore e qartë për sundimin e ligjit. Bandat kriminale të sponsorizuara nga Serbia nuk do të ndalen para asgjëje – duke përfshirë barrikadat e armatosura dhe sulmet e dhunshme ndaj policisë – për të mbrojtur ndërmarrjet e tyre të paligjshme. Ata do të dështojnë”, ka shkruar Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, ka thënë se të arrestuarit janë të implikuar me zyrtarë serbë, pasi kanë edhe fotografi me ta.

“Të dielën Lista Srpska dhe Petkoviq janë acaruar nga disa reagime. Çështja është e thjeshtë: me laboratorët, trafikantët e drogës dhe kriminelët që përdoren si mjete politike, fasada false nuk zgjat më shumë se deri në aksionin e radhës të policisë. Tetë laboratorë droge u zbuluan brenda 24 muajve dhe vetëm sot u gjetën tre laboratorë droge”, tha ai.

Lexo po ashtu Sveçla publikon emrat e të arrestuarve në veri: Kanë foto me zyrtarë të lartë serbë, dhe sulmonin Policinë e Kosovës

Sveçla shtoi se pronarët e tyre janë: Miljan Deleviq, Ivan Slaviq, Dushan Slaviq dhe Nikola Filgjokiq, të cilët më herët ishin të gjithë të përfshirë në sulmet ndaj Policisë së Kosovës.

“Ata vendosin barrikada dhe frikësojnë qytetarët serbë që refuzuan të bashkëpunojnë me ta. Pas këtyre sulmeve, ata u vizituan nga ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq dhe Petkoviq, ndërsa u mbështetën dhe mbroheshin nga Vuçiq, Lista Serbe dhe Milan Radojçiq”, u shpreh minsitri i Brendshëm.

Ndryshe, edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës kishte realizuar operacione kundër drogës në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Në majin e vitit të kaluar, Policia kishte shkatërruar dy laboratorë droge në Izvor, afër kufirit me Serbinë, ku ishin gjetur edhe sasi të mëdha të bimëve narkotike, të llojit marihuanë.

Po ashtu, në prill ishte shkatërruar një laborator droge në Zveçan dhe ishin arrestuar katër serbë.

Exit mobile version