Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nisur seancën me një minutë heshtje për vdekjen e senatorit amerikan Bob Dole.
Gjatë këtij veprimi, deputetët e Listës Serbe nuk janë ngritur në këmbë për të respektuar këtë minutë heshtje, përcjell Telegrafi.
Ish-senatori republikan ka vdekur të dielën në moshën 98 vjeçare.
“Me zemër të thyer ju njoftojmë se senatori Robert Joseph Dole vdiq herët në mëngjes derisa ishte në gjumë. Ai vdiq në moshën 98-vjeçare, derisa i kishte shërbyer me besnikëri Shteteve të Bashkuara të Amerikës për 79 vjet”, thuhet në njoftimin e familjes.
Në muajin shkurt, Dole zbuloi se ai ishte diagnostikuar me kancer të mushkërive të fazës 4 dhe tha se po fillonte trajtimin.
Shqiptarët do ta kujtojnë senatorin Dole si njeriun që u angazhua herët në politikën amerikane për Kosovën dhe luajti rol të rëndësishëm në procesin që çoi në krijimin e shtetit të pavarur.
Lidhjet e senatorit me shqiptarët kishin filluar në fund të viteve 1980, kur Kosova ishte nën shtypjen e Sllobodan Millosheviqit.
Një pikë kthese u shënua me vizitën e tij, në atë kohë udhëheqës i republikanëve të Senatit, bëri në Prishtinë në vitin 1990.
Në shtator të 1998-së, pas kthimit nga një vizitë ne Kosovë, Dole i kishte bërë thirrje administratës së ish-presidentit Bill Clinton për veprime konkrete. /Telegrafi/