Gjykata e Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar se aktgjykimi i Supremes ndaj rastit “Monego” është në përputhshmëri sipas Kushtetutës së Kosovës.
Sipas njoftimit, ky aktgjykim është në përputhshmëri me të drejtën për gjykim të drejtë dhe paanshmëri.
“Aktgjykimi, ARJ-UZVP.nr. 42/2020, i 25 qershorit 2020, i Gjykatës Supreme, është në përputhshmëri me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, njofton Gjykata, përcjell Telegrafi.
Në fund të vitit 2019, Banka Qendrore e Kosovës kishte marrë vendim për revokimin e licencimit për dy institucionet mikrofinanciare “Monego” dhe “IuteCredit”.
“Gjatë këtyre viteve të operimit në tregun tonë këto institucione kanë devijuar nga planet e tyre të biznesit në bazë të të cilave kishin marrë licencën e operimit në Kosovë, duke i sjellë tregut diçka tjetër nga ajo që kishin premtuar”, thuhej në njoftimin e BQK-së.
Kurse themeluesi dhe pronari i “Monego”, Aigars Kesenfelds në një intervistë për Telegrafin kishte thënë se heqja e licencës nga ana e BQK-së është shenjë jo e mirë për tërheqjen e investimeve të huaja në vend. /Telegrafi/