Udhëheqësit globalë do të zbresin sot në Londër për një samit vendimtar për luftën në Ukrainë, pas skenave të jashtëzakonshme në Shtëpinë e Bardhë në fillim të kësaj jave.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, do të mirëpresë kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni në Downing Street këtë mëngjes, transmeton Telegrafi.
Udhëheqësve do t’u bashkohen më pas presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, presidenti francez Emmanel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau.
Krerët e Danimarkës, Holandës, Norvegjisë, Polonisë, Spanjës, Finlandës, Suedisë, Çekisë dhe Rumanisë do të jenë gjithashtu të pranishëm, si dhe ministri i jashtëm i Turqisë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen dhe presidenti i Këshillit, Antonio Costa janë gjithashtu të ftuar. /Telegrafi/