Site icon Telegrafi

Kush është fajtor për mosliberalizimin e vizave? Deputetët me qëndrime të ndryshme

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të vetmit në Evropë që nuk e gëzojnë lëvizjen e lirë, ndonëse ka një dekadë që liderët shtetëror premtojnë një gjë të tillë.

Edhe pas një dekade premtimi, qytetarët vazhdojnë të jenë të izoluar, ndërsa shpresat për liberalizimin e vizave gjatë këtij viti ose vitin e ardhshëm sërish kanë filluar të zbehen, por se kush është fajtor për vonesën deputetët kanë qëndrime të ndryshme.

Derisa deputetët nga partitë në pushtet thonë se vonesat kanë të bëjnë me BE-në dhe se Kosova ka përmbushur kriteret, deputetët që vijnë nga radhët e opozitës nuk mendojnë njëjtë.

Ndonëse raportohej se vendimi për datën e liberalizimit të vizave do të merret në dhjetor, ministrja e Integrimit, Dhurata Hoxha ditë më parë ka paralajmëruar mundësinë që një vendim i tillë të shtyhet.

Ajo kishte thënë se nuk sigurohet shumica e votave të nevojshme pro liberalizimit të vizave në Këshillin e Ministrave të BE-së, atëherë votimi i paraparë në fillim të dhjetorit të këtij viti mund të shtyhet derisa të sigurohet qëndrimi pozitiv i shumicës.

Lexo po ashtu Votimi për vizat mund të shtyhet

Por, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti, ka thënë për Telegrafin se nëse vonesa për liberalizimin  e vizave shkaktohet nga institucionet e BE-së, do të jetë shërbimi më i keq që i bëhet qytetarëve të Kosovës.

“E para, nuk e di askush se kur bëhet pasi kjo nuk varet nga Kosova. Institucionet e BE-së, janë ato që vendosin. Nëse kjo vonesë shkaktohet nga institucionet e BE-së, do të jetë shërbimi më i keq për qytetarët e Kosovës. Kjo është një prej padrejtësive më të mëdha që po i bëhet Kosovës. Është krejtësisht ndryshe nga vendet e regjionit. Mirëpo kjo thjesht është në dorën e tyre. Nëse kjo nuk ndodh shpejt do të ishte padrejtësia më  madh që do i bëhet qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Pajaziti për Telegrafin.

Lexo po ashtu Shasha: Me Presidencën rumune të BE-së nga 2019-ta, çështja e vizave nuk do të vendoset as në agjendë (Video)

Ai po ashtu tha se sipas informatave që kanë shtyrja e liberalizimit të vizave është çështje e brendshme e BE-së, pasi problemi qëndron pikërisht tek emigracioni.

“Sipas informatave që kemi, janë çështje të brendshme të BE-së, problemi me emigracionin, refugjatët. Por, BE-ja nuk është që nuk e ka pasur këtë problem dhe më herët dhe ka lejuar që në procese normale të bëhet liberalizimi i vizave për disa vende që ka shumëfish më shumë banorë dhe që iu kanë shkaktuar shumë më shumë probleme se sa Kosova. Këtë përkushtim të madh që  e kanë qytetarët properëndimor, nuk e  meritojnë t’i shpërblejnë me një vonës të tillë. Shpresoj që institucionet e BE-së nuk do ta zhagisin këtë proces”, u shpreh Pajaziti.

Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, në një prononcim për Telegrafin tha se Qeveria aktuale e Republikës së Kosovës është shkaktare e ngecjes së proceseve integruese të Kosovës.

“Janë deklarata konfuze, të paqarta brenda Qeverisë dhe njëherësh tregojnë pasqyrën reale të shqetësimeve tona të cilat i kemi theksuar në vazhdimësi. Kjo qeveri në mënyrë të pakoordinuar me qasje selektive dhe me të meta në udhëheqje janë shkaktare të ngecjes së proceseve integruese të Kosovës. Kjo, jo vetëm që krijon huti por edhe është një lojë me ndjenjat e qytetarëve tanë dhe punën e përkushtimin institucional të deritanishëm mbi procesin e liberalizimit te vizave”, ka thënë Zemaj. /Telegrafi/

Exit mobile version