Telegrafi

Kurti u kritikua për qëndrimin një javor në Greqi, deklarohet Qeveria

Qeveria e Kosovës është deklaruar lidhur me vizitën zyrtare të kryeministrit Albin Kurti në Greqi, ku po qëndron që nga 5 korriku.

Zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu, ka thënë se kryeministri Kurti ka udhëtuar në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave, atë të “The Economist” dhe “Simpoziumit Symi”, në të cilat thuhet se kryeministri Kurti ka qenë pjesë e paneleve të diskutimit.

“Sivjet është viti i pestë me radhë që kryeministri Kurti merr pjesë në Simpoziumin Symi, ku të pranishëm janë politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, Kryeziu ka thënë se edhe herëve të tjera, por edhe këtë vit shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit janë të mbuluara nga organizatori.

Reagimi i Kryeziut vjen pasi nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ditë më parë ngriti disa dilema rreth qëndrimit të Kurtit në Greqi.

Sipas saj, në konferenca në të cilat ka marrë pjesë Kurti, rëndom qëndrohet për dy ditë.

“Sinqerisht, a din dikush me më tregu qe sa ditë është Kryeministri në Greqi?  Rëndom, në konferenca të tilla, Kryeministri shkon në hapje, e mbanë fjalimin/takimet dhe kthehet. Më së shumti 2 ditë”, shkroi Çitaku në Facebook të hënën. /Telegrafi/