Site icon Telegrafi

Kurti: Thaçi duke u munduar të na rrëzojë neve po e rrëzon vetën

Kryeministri në detryë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se takimi i sotëm i presidentit Hashim Thaçi me liderët e partive politike, rrezikon rendin kushtetues.

Kurti para mediave ka thënë se këtë mundësi presidentit Thaçi ia kanë dhënë krerët e LDK-së, transmeton Telegrafi.

“Kjo e sotmja është përpjekja më e egër e presidentit për të shthurur rendin kushtetues. Vullnetin e shprehur me votë nga qytetarët po përpiqet ta mbyllë me një dekret antikushtetues ku do të përjashtojë partinë e parë fituese të zgjedhjeve. Nga roli unifikues që ia përcakton Kushtetuta, presidenti sot doli në ilegalitet, andaj formalizimi i deklarimeve të sotme do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese pa dyshim. Është e qartë se këtë mundësi presidentit ia dhanë krerët e LDK-së, të cilët paraprakisht me vullnet braktisën çdo fjalë të thënë e të dhënë ndaj qytetarëve”, ka pohuar Kurti, përcjell Telegrafi.

Kurti ka shtuar se “presidenti ka zhvilluar takim me liderët e subjekteve politike në Kuvend me qëllim të vlerësimit të interesit të partive për zgjedhje të reja, apo për formimin e Qeverisë së re, por nuk është në kompetencën e presidentit vlerësimi i interesit të partive por të qytetarëve”.

Kurti ka pohuar se presidenti Thaçi duke u munduar ta rrëzojë LVV-në, po e rrëzon vetën.

“Sot njëzëri një klub  stërvjetër politikisht kumtoi së nuk janë për zgjedhje, duke thënë kështu të vërtetën, frikën nga përballja me vullnetin qytetarë, sonte dua të ritheksoj së prioritet është parandalimi i përhapjes së coronavirusit dhe çdo gjë tjetër partiake nuk kanë rëndësi”, theksoi Kurti./Telegrafi/

Exit mobile version