Telegrafi

Kurti takohet me shefin e BE-së në Kosovë, biseduan për sulmin terrorist në veri si dhe hetimet që po zhvillohen

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka takuar shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, njëherësh Përfaqësues Special i BE-s, Tomas Szunyog me të cilin bisedoi për sulmin terrorist të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, hetimet që po zhvillohen rreth synimeve dhe autorët e këtij sulmi, procesi i Berlinit në prag të samitit të radhës dhe përgatitjet e Raportit të Vendit. 

Sipas njoftimit bëhet e ditur se ambasadori Szunyog i shprehu edhe një herë ngushëllime kryeministrit, familjes Bunjaku dhe popullit të Kosovës, për heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku, rreshterin e Policisë i cili ra në detyrë, në mbrojtje të rendit, ligjshmërisë, kushtetutshmërisë, sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial.

“Ambasadori, më tej, e njoftoi kryeministrin Kurti për përgatitjet që Komisioni Evropian është duke i bërë në finalizimin e Raportit të Vendit për vitin 2023, i cili pritet të miratohet në pjesën e parë të muajit nëntor”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/