Telegrafi

Kurti shkon në Greqi, nuk konfirmon pjesëmarrjen në takimin e së hënës në Tiranë të ftuar nga Rama

Kryeministri  Albin Kurti po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, ende nuk ka një konfirmim nëse do të shkojë në takimin e ftuar nga Rama në Tiranë.

Zyra e Kryeministrit njofton se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti nga sot po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që mbahet në Greqi e ku po marrin pjesë politikanë progresistë e akademikë të shquar.

Simpoziumi Ndërkombëtar SYMI është themeluar nga ish-Kryeministri i Greqisë, George Papandreou dhe organizohet çdo vit.

Ky edicion i sivjetëm titullohet “Cila botë në vitin 2030? Trajtimi i Sindromës Icarus” (Which World in 2030? Addressing the Icarus Syndrome).

Kjo është hera e gjashtë që kryeministri Kurti është pjesëmarrës  në këtë organizim.

Mirëpo nesër në Tiranë mbahet një tjetër takim i rëndësishëm ku është e ftuar edhe Kosova.

Lexo po ashtu Rama: E rrezikshme çfarë po ndodh në veri të Kosovës, mund të bëhet vatër zjarri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bashkë me  katër liderët e tjerë të rajonit, Aleksandar Vuçiq, kryeministrin në detyrë i Malit të Zi, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski si dhe Borjana Kristo, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës si dhe komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi do të drekojnë në vilen 30 mesditën e të hënës në një takim informal ku do të diskutohet për Procesin e Berlinit.

Mbledhja e radhës e nismës së Angela Merkelit ndërmarrë në 2014, do të zhvillohet në mesin e Tetorit në Tirane ndaj kryeministri Rama ka vendosur të diskutojë paraprakisht me të gjithë vendet që janë pjesë e iniciativës së Procesit të Berlinit mbi projektet konkrete rajonale që duhet të shtyjnë përpara.

Vetë Rama ndërmori dhe një tur rajonal javën e shkuar te të 5 vendet e Ballkanit Perëndimor për të folur për rëndësinë që ka fokusimi tek kjo nisme dhe jo Ballkani i Hapur që sipas tij e ka kryer misionin e tij.

Në Prishtinë, Rama  nuk u prit nga homologu Kurti i cili këmbënguli në zhvillimin e mbledhjes së anuluar të dy qeverive ndërkohë që nuk ka konfirmuar për të qenë as në Tiranë ditën e nesërme./Telegrafi/