Site icon Telegrafi

Kurti përmbledh takimet në Davos: Me Lajçakun diskutuam për nevojën për dinamizim të dialogut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një përmbledhje të takimeve që ka zhvilluar në Davos të Zvicrës, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror.

Ai ka bërë të ditur se në takim me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë biseduar për hapat e mëtejmë dhe nevojën për dinamizim të procesit të dialogut drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me njohje reciproke në qendër.

“Takova edhe përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Biseduam për hapat e mëtejmë dhe nevojën për dinamizim të procesit të dialogut drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kreu i ekzekutivit kosovar tutje ka njoftuar se është takuar edhe me Zëvendës Presidenten e Zvicrës, Viola Amherd dhe Ministrin e Ekonomisë së Zvicrës, Guy Parmelin.

“U shpreha mirënjohjen e thellë për kontributin e Zvicrës dhënë për Kosovën. Theksuam rëndësinë e mërgatës sonë në Zvicër, që janë urë lidhëse mes dy shteteve tona”.

Ndërsa, me Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka potencuar se me Kroacinë, Republika e Kosovës ka të përbashkët të kaluarën, por edhe të ardhmen brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

“E me Zëvendëskryeministrin e Ukrainës dhe Ministrin e Transformimit digjital, Mylkhailo Fedorov dhe Administratoren e USAID-it, Samantha Power, në Shtëpinë e Ukrainës në Davos diskutuam mbi transformimin digjital”, ka përfunduar Kurti. /Telegrafi/

Exit mobile version