Site icon Telegrafi

Kurti: PDK ka probleme përbrenda me Sami Lushtakun – të gjitha partitë le ta nxjerrin një përfaqësues dhe e bëjmë debatin

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se partitë tjera në garë duhet ta zgjedhin një përfaqësues nëse duan të dalin në debat me LVV-në.

Ai tha se ky është një referendum ku në njërën anë është ai me Vjosa Osmanin, ndërkaq në anën tjetër janë partitë e tjera.

“Kështu, së parim, ne e bëmë koalicionin parazgjedhor, edhe e identifikuam saktë që zgjedhjet janë referendum. Në anën tjetër kishim planin që ka disa linja. Për të dalur në debat para referendumit duhet një përfaqësues i klanit. Ky është referendum. Në njërën anë jemi presidentja dhe unë, e në anën tjetër janë ata. Ata po operojnë në shumë linja, por janë bashkë. Ata le ta nxjerrin një përfaqësues dhe e bëjmë debatin”, tha Kurti.

I pyetur konkretisht për insistimin e Enver Hoxhajt të PDK-së për debat, Kurti tha se mendon se PDK-ja ka problemin për zgjedhjet e brendshme.

“Unë mendoj se aty është një diçka tjetër, ata e kanë problem me atë ish-kryetarin e Skenderajt për zgjedhje të brendshme në atë parti”, tha Kurti.

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka ftuar kreun e LVV-së, Albin Kurtin që të përballet me të në pesë debate televizive.

Hoxhaj ka thënë se me debate të tilla do të kenë mundësi të tregojnë se kush është më i përgatitur për zgjedhje, dhe se PDK do të jetë partia më e votuar në këto zgjedhje.

Në fund të konferencës, Hoxhaj njoftoi se slogani i PDK-së në këto zgjedhje do të jetë “Rimëkëmbje”. /Telegrafi/

Exit mobile version