Telegrafi

Kurti: Nuk mund të ketë kryetarë të rinj në veri pa zgjedhje të reja – adresa për trysni është Beogradi

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se vetëm pas zgjedhjeve të reja në veri të vendit mund të ketë kryetarë të rinj.

Në një deklarim për media, Kurti është shprehur se sundimi i ligjit duhet të vlejë për të gjithë dhe se nuk mund të ketë asnjë pakicë të privilegjuar. Sipas tij, të gjitha komunitetet duhet të çlirohen prej elementeve që kanë ideologji ekstremiste dhe bëjnë sulme të dhunshme ndaj shtetit të Kosovës.

Lexo po ashtu Kurti: Veriu i Kosovës ka nevojë për zgjedhje të lira, por paraprakisht nevojitet sundim i ligjit dhe fushata për zgjedhje të jetë e lirë

“Unë e kuptoj që në zgjedhjet që janë mbajtur në veri të Kosovës ka pasur dalje shumë të ulët dhe legjitimiteti është i vakët, mirëpo këta kanë pak legjitimitet e ata të tjerët kanë aspak legjitimitet”, ka thënë kreu i ekzekutivit kosovar.

“Prandaj, pas zgjedhjeve të reja mund të ketë kryetarë të rinj, e nuk mund të ketë kryetarë pa zgjedhje të reja dhe zyrat e ndërtesat e komunave në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok janë asete të Kosovës”.

Më tej, Kurti ka deklaruar se gjithçka është duke shkuar drejt normalizimit, ndërsa ka shtuar se për t’u bërë kjo sa më shpejt adresa për trysni është Beogradi e jo Prishtina./Telegrafi/