Telegrafi

Kurti: Një botë e bashkuar do ta ndalojë Putinin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e Forumit Diplomatik në Antalia të Turqisë, ka takuar ministrin e jashtëm të Austrisë, Alexander Schallenberg, Përfaqësuesin e Lartë Ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt dhe mandatarin për krijimin e qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Kurti, përmes një postimi në Twitter, ka bëtë të ditur se temë e bisedës me diplomatët që takoi ishte agresioni rus në Ukrainë.

“Ne nuk duhet t’u dorëzohemi autokratëve askund dhe në asnjë kohë. Vetëm një botë e bashkuar dhe aktive demokratike do të ndalojë Putinin dhe do të parandalojë despotë të tjerë në të ardhmen”, ka shkruar Kurti, transmeton Telegrafi.

Në Forumin për Diplomaci që po mbahet në Antalia të Turqisë, përveç kryeministrit Kurti, po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila gjithashtu ka zhvilluar takime të shumta me pjesëmarrës të kësaj konference. /Telegrafi/