Site icon Telegrafi

Kurti: Në veri kishte tendenca për shembjen e sistemit tonë shtetëror, mbesim aleat i pakompromis i SHBA-së dhe BE-së

Kryeministri i Kosovës, njëherit kryetari i LVV-së, Albin Kurti në mbledhjen e 51-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të intensifikojnë dialogun për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.

Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës është aleat i pakompromis i SHBA-ve dhe BE-së.

“Kosova i qëndron pas SHBA-së dhe BE-së në tërë kuptimin e fjalës, në politikën anti-Putin dhe në vlerat demokratike. Është aleat i pakompromis i SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian. Rruga përpara për deskalim të situatës në veri do të thotë ndalimi i menjëhershëm i dhunës nga bandat kriminale ndaj policisë, NATO-s, gazetarëve dhe kryetarëve. Në përputhje me situatën e sigurisë, me largimin e këtyre bandave dhe arrestimin e tyre, prania e policëve mund të zvogëlohej në mënyrë proporcionale. Dialogu për zbatimin e plotë marrëveshjes bazike të 27 shkurtit në Bruksel dhe ankesit të zbatimit të 18 marsit në Ohër, duhet të intensifikohet. Kemi nevojë për sekuencim të balancuar dhe fer të zbatimit të marrëveshjes bazike”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka theksuar se deri në zgjedhjet e hershme në komunat veriore, kryetarët e tanishëm duhet ta ushtrojnë detyrën e tyre, ndërsa u ka bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje.

“Ne e kuptojmë që kryetarët e rinj kanë marrë pak vota, por ata të tjerët nuk kanë marrë asnjë votë. Komuniteti serb duhet të dalë në zgjedhje e jo të bojkotojnë. Zgjedhjet duhet të jenë të lira, të hapura, pa frikë, pa kërcënime, pa banda kriminale”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri shtoi se më 5 nëntor të vitit 2022, në veri pati tendenca për shembjen e sistemit shtetëror të Kosovës.

“Të gjithë e mbajmë mend shumë mirë që më 5 nëntor të vitit të kaluar në veri pati përpjekje të shembet sistemi ynë shtetëror kur u bë dorëheqje kolektive e 547 policëve, e katër kryetarëve të komunave, prokurorëve e gjykatësve dhe dhjetë deputeteve në Kuvendin e Kosovës. Kjo përpjekke për ta shembur sistemin tonë institucional të Republikës tonë demokratike në veri të Kosovës dështoj”, tha Kurti, shkruan Telegrafi.

Kryeministri shoti se zgjedhjet u mbajtën sepse ata që i braktisen institucionet i bojkotuan zgjedhjet, dhe i kërcënuan edhe ata që dëshironin të merrnin pjesë në zgjedhje.

“Ndërtesa e komunës duhet të jetë për kryetarët e komunave. Ne jemi të detyruar ta kemi njësinë speciale për shkak të grupeve kriminale e ekstremistëve të dhunshëm. Ndërtesat janë të Republikës dhe nuk mund të jenë të ndara për funksionim sipas përkatësisë etnike. Nuk ka asnjë ndërtesë publike, qeveritare, ku mund të hyjë vetëm një etni”, tha Kurti.

Serbët në veri kanë protestuar qe dy javë, që kur u synua që në objektet komunale në katër komunat veriore të hynin kryetarët shqiptarë. Ditët e para të protestës ishin të tensionuara, madje pati edhe të lënduar nga radhët e KFOR-it. Por ditëve të fundit, numri i protestuesve është ulur dhe ato janë të qeta.

Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës, ndërsa kanë fajësuar Kosovën për zhvillimet e fundit. /Telegrafi/

Exit mobile version