Kryeministri Albin Kurti, ka pritur në zyrëne tij, zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Fehmi Hoti, dhe përfaqësues e pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës.
Gjatë këtij takimi, fillimisht Kurti ka dëgjuar kërkesat e tyre, që përfshijnë: kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirjen në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të caktohet në 50 përqind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës.
Më pas, Kurti njoftoi pjesëtarët e Policisë se është kryer një kategorizim i veçantë dhe një vlerësim i shtesave të rrezikshmërisë për ta.
“Ky proces u realizua me kujdes dhe u bazua në të gjithë faktorët relevante që lidhen me punën dhe përgjegjësitë e tyre, duke marrë parasysh gjithashtu edhe kufizimet aktuale”, u tha në takim.
Gjatë diskutimit, kryeministri nënvizoi përkushtimin e qeverisë për përmirësimin e kushteve dhe pajisjeve të punës për Policinë e Kosovës.
Siç theksohet, Qeveria synon të lehtësojë kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të pjesëtarëve të Policisë, duke ulur në të njëjtën kohë nivelin e rrezikshmërisë në veprimtarinë e tyre.
Në këtë kontekst, kryeministri Kurti theksoi se përpjekjet për përmirësimin e kushteve të punës për Policinë e Kosovës do të reflektohen në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2024.
“Projekti i buxhetit parashikon një shtim të investimeve kapitale në Policinë e Kosovës, duke dëshmuar përkushtimin e vazhdueshëm të qeverisë ndaj sigurisë dhe efikasitetit të forcave të rendit”, u tha tutje.
Në fund, Kurti shprehu falënderim ndaj përpjekjeve dhe kontributit të tyre në ruajtjen e rendit dhe zbatimin e ligjit me profesionalizëm të lartë.
Takimi i NjSI-së erdhi pasi kjo njësi elitare e Policisë së Kosovës, patën protestuar para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës më 1 nëntor.
Ata paralajmëruan edhe një protestë për në 7 nëntor, por e cila u pezullua pasi pati premtim nga Kurti për t’i pritur në takim./Telegrafi/