Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po qëndron për vizitë në Londër.
Ai gjatë kësaj vizite në Parlamentin Britanik, ka takuar John Cryer, kryesuesin e Grupit Parlamentar të Laburistëve, Khalid Mahmood, Ministër i Punëve të Jashtme në hije dhe Kastriot Berberi, këshilltar komunal në Waltham Forest.
Kurti në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se me ta ka diskutuar për marrëdhëniet e mira bilaterale midis dy vendeve, situatën socio-ekonomike në Kosovë, për ndryshimet politike pas fitores së LVV në zgjedhjet e 6 tetorit, si dhe për sfidat nëpër të cilat po kalon Britania e Madhe lidhur me BREXIT-in.
“Ministri i Punëve të Jashtme në hije, Khalid shprehu vullnetin për bashkëpunim dhe për të përkrahur qeverinë e ardhshme në fushën e investimeve, tregtisë e drejtësisë, si dhe për të ndihmuar e përkrahur Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Në këtë takim isha bashkë me deputetet Saranda Bogujevci e Fitore Pacolli si dhe me Agim Morinën, koordinator i Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Britani të Madhe”, ka shkruar ai.
Kurti po ashtu është takuar edhe me Ministrin e Shtetit për Evropë dhe Amerikë, Christopher Pincher, me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ekonomik midis Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Falenderova Ministrin Pincher për mbështetjen e shtetit të tij dhe ndihmën për vendin tonë në luftë e në paqe, për liri e pavarësi, si dhe për zhvillim, siguri, drejtësi e demokratizim. Ai na uroi për rezultatin dhe suksesin në zgjedhjet e 6 tetorit dhe shprehu gatishmërinë e interesimin për të vazhduar e intensifikuar raportet midis dy shteteve tona me t’u formuar qeveria e re”, ka shkruar ai./Telegrafi/