Telegrafi

Kurti ndau nga 100 euro për disa kategori, Abdixhiku: Njerëzit në hall e mirëpresin secilën ndihmë, por ndalen projektet madhore

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të ndarë nga 100 euro për pensionistët, studentët, punëtorët e sektorit publik dhe atij privat.

Abdixhiku, në një shkrim në Facebook ka hadhur një varg kritikash ndaj Kurtit, duke thënë se popullizmi varfëron vendin.

“Mungesën e politikave zhvillimore e investimeve të mëdha kapitale në vend, po e zëvendësojnë me popullizëm. Këtë herë nga 100 euro lëmoshë secilit – pa ndonjë kriter, pa ndonjë kategorizim. Kanë ose s’kanë përfituesit, nuk ka fare rëndësi, të gjithë do të marrin njëjtë”.

I pari i LDK-së e ka quajtur të padrejtë këtë politikë sociale të Kurtit, sipas të cilit nuk do të ketë efekt.

Lexo po ashtu Kurti prezanton Pakon e re: Nga 100 euro për punëtorët e sektorit privat e publik, studentët dhe pensionistët

“Përveç se e padrejtë, kjo politikë sociale është edhe pa efekt. Në njërën anë 100 euro për vetëm një muaj, s’zbusin asgjë; në anën tjetër 100 milionë euro gjithsej janë para të humbura me një vendim. Nuk besoj se ka pasur, ka e do të ketë diku tjetër në botë ndonjë politikë kaq të madhe me kaq pak ndikim. Popullzimi këtë ka. Blenë paqe sociale duke ushqyer varfërinë”.

Abdixhiku thotë se më këtë ndihmë sociale Kurti nuk mund ta mbulojë strenjtimin e rrymës.

Lexo po ashtu Mustafa: Me 100 euro politike nuk mbulohet kriza e as nuk ofrohet zgjidhje ekonomike

“Albin Kurti sot dëshmoi përfundimisht se nuk ka ide e as njohuri për zhvillim. Beson se me intervenim një mujor, mund ta bëj të harrohet kriza e përballueshmërisë. Me 100 euro s’blihet shtrenjtimi i rrymës për 100%. Me 100 euro s’blihen vizat e punës për 120 mijë kosovarë. Me 100 euro s’blihet inflacioni dyshifror që vazhdon edhe përtej këtij muaji të shënojë rritje rekord. Me 100 euro s’blihen pagat e ulëta në sektorin privat e publik pa dallim. Me 100 euro nuk blihet papunësia, nepotizmi, mungesa e investimeve e regresi shoqëror. Politika zhvillimore është art. Këtë art, eksperti – tani i komunikacionit rrugor dhe gjurmëve në asfalt – s’ka se si ta kuptojë”.

Kryetari i LDK-së thotë se kjo masë e Kurtit mund të mirëpritet nga njerëzit që janë në hall, por sipas tij këto politika dëmtojnë projektet madhore e zhvillimore në vend.

“E kundërshtoj secilën politikë populliste. Edhe këtë të tanishmen dhe secilin propozim a masë të ngjashme të marrë deri më tani nga kushdo qoftë ai. Në qeverisjen time, masa të tilla të çastit e pa ndikim, s’do të kenë vend në asnjë vendim. Njerëzit në hall natyrisht se mirëpresin secilën ndihmë. Por duke i privuar ata nga projektet madhore e zhvillimore, në këmbim të lëmoshës së përkohshme, politikanët tregojnë jolidership. Mund dhe të merr kohë, por do ta kuptoni, se kjo lloj politike është tregtim i së ardhmes tuaj për një grusht mbështetje të përkohshme që s’zgjatë as edhe një muaj”, ka shkruar tutje Abdixhiku./Telegrafi/