Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, sidomos transporti i mallrave.
Kurti gjatë të një konference për medie, duke komentuar rrëmbimin e tre policëve nga Serbia në veri të Kosovës, është shprehur se qëllimi i këtij vendimi është që të rritet kontrolli në kufij.
“Për arsye të sigurisë, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet ndaj automjeteve që vinë nga Serbia, sidomos ato transportuese”, u shpreh Kurti, përcjell Telegrafi.
“Rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës që po lufton krimin”, shtoi ai.
Vendimi për ndalimin e hyrjes së mallrave të Serbisë në Kosovë ka ardhur si pasojë e kidnapimit të tre policëve kufitarë nga forcat serbe.
Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur zyrtarët policorë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës. Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës. /Telegrafi/