Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani të mërkurën do të presin në takime të ndara Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Sipas njoftimit të Presidencës, takimi mes Osmanit dhe Cholletit do të mbahet në orën 13:30.
Ndërsa, Qeveria ka njoftuar se takimi i kryeministrit Kurti me këshilltarin e lartë amerikan do të mbahet në orën 14:30.
Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, nga dita e mërkurë do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Shkup, Prishtinë dhe më pas Beograd.
Chollet fillimisht më 11 janar do të qëndroj në Shkup, ndërsa po këtë ditë, ai do të vazhdojë rrugën për në Kosovë, ku thuhet se do të takojë krerët shtetërorë me qëllim të diskutimit të përpjekjeve amerikane për të arritur njohjen reciproke Kosovë-Serbi.
Më 12 janar, këshilltari Chollet do të vazhdojë në Beograd, ku do të diskutojë me udhëheqjen e qeverisë serbe sigurinë energjetike, integrimin ekonomik rajonal dhe përparimin drejt synimit të Serbisë për anëtarësim në BE. Ai do të diskutojë edhe “rolin e Serbisë në forcimin e paqes dhe sigurisë rajonale dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm me Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”. /Telegrafi/