Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me kryeparlamentaren Vjosa Osmani kanë vënë kurora lulesh te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Kryeministri Kurti me këtë rast ka thënë se sot tek sa shënojmë 12 vjetorin e pavarësisë, kujtojmë presidentin e parë të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova.
“Si kryeministër i Republikës së Kosovës sot tek sa shënojmë dhe festojmë përvjetorin e 12 të shpalljes së pavarësisë, kujtojmë presidentin e parë të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova i cili u zgjedh nga populli. Ibrahim Rugova poashtu ishte presidenti i parë në Kosovën e çliruar.
Në një ditë si kjo vlerësojmë përpjekjen institucionale dhe angazhimin politik për liri e pavarësi. U preftë në liri dhe paqe”, tha Kurti.
Kryeparlamentarja Osmani e ka cilësuar presidentin historik dr. Ibrahim Rugova, ideator dhe arkitekt i pavarësisë së Kosovës.
“Me respektin më të thellë nderuam kujtimin për Presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës. Kështu nderuam ideatorin e arkitektin e pavarësisë së vendit, njeriun që e sublimoi vullnetin politik të qytetarëve të vendit për liri e pavarësi, atin themelues të shtetit, por edhe gjithë ata bij e bija të këtij vendi që u angazhuan në lëvizjen e madhe, gjithëpopullore, për pavarësi”, ka thënë Osmani.
Kujtojmë se kjo ishte hera e parë që Kurti bëri homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Pas kësaj, Kurti dhe Osmani kanë bërë homazhe edhe te varri i veprimtarit të shquar Adem Demaçi./Telegrafi/