Site icon Telegrafi

Kurti: Aeroporti i vjetër i Prishtinës do të shndërrohet në terminal doganor

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, kanë vizituar aeroportin e vjetër të Prishtinës.

Ku nga kjo vizitë, Kurti tha se kjo hapësirë është e përshtatshme për terminal doganor.

“Ky objekt është i përshtatshëm për terminal doganor në mënyrë që doganierët e regjionit të Prishtinës të vinë këtu dhe terminali doganor siç është normale, të jetë jo vetëm në shtet por edhe i shtetit”, tha Kurti.

Ai deklaroi se qeveria është e interesuar që sa më parë të funksionolizojë këtë objekt për terminal doganor.

“Le të ja fillojmë me ketë terminal doganor këtu në Prishtinë që është edhe gjeografikisht në mes te Kosovës për të vazhduar pastaj me atë në Mitrovicë dhe Vërmicë. Qeveria e Republikës se Kosovës, unë si kryeministër në detyrë, ministri i Financave, shprehim interesimin tonë që një kohë sa më të shkurtë ta funksionalizojmë këtë ndërtesë që ka edhe energji elektrike, punojnë edhe kamerat, për terminalin doganor të shtetit tonë”, tha ai.

Kurti tha se në vend që të shfrytëzohet ky objekt, sipas tij, kjo gjë nuk po ndodh.

“Janë gjithsej 2,500 metra katrorë, ka kanalizim, ujësjellës, ka energji elektrike dhe kamera funksionale. Është një objekt i pashfrytëzuar tash e shtatë vite dhe në vend se terminali doganor i regjionit të Prishtinës të jetë këtu, e kemi në prona private, ku edhe kamionët paguajnë shtrenjtë edhe arka e shtetit nuk mbushet. Ne jemi të interesuar që t’i kryejmë të gjitha procedurat ligjore në mënyrë që sa më shpejt në regjionin e Prishtinës, aeroporti i vjetër të bëhet terminal doganor”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version