Site icon Telegrafi

Kurteshi jep propozimin e Vetëvendosjes, si duhet vepruar me grevën e SBASHK-ut (Video)

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë se fajtor për grevën e SBASHK-ut është Qeveria e Kosovës.

Kurteshi, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se nga 12 koeficientë sa janë, koeficienti 2 i përcaktuar për arsimtarët është poshtërues.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka bërë thirrje që të lëvizin nga pozicionet e tyre të gjitha palët, dhe të shkohet në marrëveshje kompromisi në mënyrë që, sipas tij, të mos pësojnë fëmijët.

Kurteshi ka thënë se krahasimet se arsimtarët në Kosovë i kanë pagat më të larta në rajon nuk qëndrojnë, pasi sipas tij duhet të bëhet edhe krahasimi i çmimeve.

“Matja e pagave bëhet me vlerën që ato kanë në vende të caktuara. Pagat maten me shportën e konsumatorit”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Deputeti opozitar ka thënë se dallimi ndërmjet koeficienteve është shumë i madh, dhe sipas tij është në rregull që kryeministri të ketë trefishin e pagës së arsimtarit, por jo më shumë.

“Dallimi në koeficientët e pagave duhet të jetë në raport 1:6 e jo 1:12 sa është me Ligjin e propozuar”.

Lexo po ashtu Reshit Kushaj nga SBASHK: Të mblidhet sonte Kuvendi, nesër ne fillojmë mësimin (Video)

Kurteshi ka thënë më tej se përgjegjësia duhet të jetë më së shumti e mazhorancës, pasi ata po i marrin meritat kur po miratohen ligjet, ku më tej ai përmend edhe Ligjin për mësimdhënësit e viteve ’90.

“Përgjegjësia në Kuvend është më së shumti e mazhorancës pasi ata marrin edhe meritat për ligjet e miratuara”, tha ndër të tjera Ismajl Kurteshi./Telegrafi/

Exit mobile version