Telegrafi

Kunis dhe Kutcher tashmë kanë grumbulluar mbi 15 milionë dollarë për t’i ndihmuar refugjatët ukrainas

(Foto: Screenshot/Instagram/aplusk)

Çifti hollivudian, Mila Kunis dhe Ashton Kutcher, ditë më parë nisën të grumbullojnë fonde për t’i ndihmuar refugjatët ukrainas.

Objektivi i dy aktorëve është që të arrijnë shumën prej 30 milionë dollarësh (27.4 milionë euro) për t’u dalë në ndihmë njerëzve të larguar nga Ukraina, që në fakt është edhe vendi i origjinës së Kunis.

Me ndihmën e fushatës GoFundMe, ata nisën grumbullimin e mjeteve për ta ndihmuar vendin e sulmuar nga Rusia, ndërsa tashmë kanë mbledhur më shumë se gjysmën e shumës që e kishin caktuar si objektiv.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kutcher ka treguar se është kaluar shuma prej 15 milionë dollarësh (13.7 milionë euro) dhe i ka falënderuar të gjithë që janë duke ndihmuar.

Lexo po ashtu Mila Kunis e prekur nga ngjarjet në vendlindjen e saj, Ukrainën - me bashkëshortin hapin një fond 30 milionë dollarësh për të ndihmuar

Ndryshe, Mila Kunis – e cila me familjen e saj është vendosur në SHBA në moshën shtatëvjeçare – ka lindur në qytetin Chernivtsi më 14 gusht 1983.

“Gjithmonë e kam konsideruar veten amerikane, por sot si kurrë më parë nuk kam qenë kaq krenare që jam ukrainase”, kishte thënë aktorja pas rezistencës së Ukrainës kundrejt sulmeve ruse. /Telegrafi/