Këtë fundjavë, Tyson Fury përballet me Otto Wallin në the T-Mobile Arena të Las Vegasit, në një duel që nuk është për titull, porse është një parapërgatitje për rimeçin me Deontay Wilder që do të zhvillohet në fillim të vitit të ardhshëm.
Boksieri i pamposhtur suedez vjen në këtë duel si jofavorit, duke qenë se shumëkush mendon se ai nuk është kundërshtar i denjë për ish-kampionin e unifikuar botëror.
Wallin nuk ishte rivali që shumëkush e dëshironte për ‘Gypsy Kingun’, megjithatë do t’i shërbejë britanikut si parapërgatitje për duelin për titullin WBC që do ta zhvillojë në muajin shkurt.
Madje edhe Joshua e ka kritikuar Furyn lidhur me kundërshtarin, mirëpo pikërisht AJ e njeh Wallinin duke qenë se është përballur me të në të kaluarën.
Kur dy boksierët ishin amatorë, ata janë ndeshur dy herë me njëri-tjetrin, në vitin 2010 dhe 2011, ndërsa në të dy duelet kishte fituar Joshua.
Sidoqoftë, profesionalizmi i tyre ka bërë që të kenë raporte të mirë dhe në vitin 2016, para duelit të Anthony me Charles Martin, e kishte ftuar Wallinin në kampin e tij për sparing.
Që atëherë, suedezi i ka fituar gjashtë meçe duke e zgjatur rekordin pa humbje në 20-0. /Telegrafi/