Kundërofensiva e Ukrainës do të jetë shumë e vështirë dhe arritja e fitimeve do të marrë shumë kohë dhe do të jetë “shumë, shumë e përgjakshme”, ka paralajmëruar oficeri i lartë ushtarak amerikan.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, gjenerali i ushtrisë Mark Milley tha në Uashington se kundërofensiva “po përparonte në mënyrë të qëndrueshme, po kalonte rrugën e saj nëpër fusha shumë të vështira të minuara … 500 metra në ditë, 1000 metra në ditë, 2000 metra në ditë, një gjë e tillë”.
Ndërkohë Reuters gjithashtu raporton se Ukraina ka qenë e kujdesshme në deklarimin publik të fitimeve në kundërofensivë që nisi muajin e kaluar për të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia.
Presidenti, Volodymyr Zelensky, pranoi javën e kaluar se po shkonte “më ngadalë se sa dëshirohej”.
E Milley tha se ai nuk ishte i befasuar se përparimi ishte më i ngadalshëm sesa disa njerëz dhe kompjuterët mund të kishin parashikuar.
“Lufta në letër dhe lufta e vërtetë janë të ndryshme. Në luftën e vërtetë, njerëzit e vërtetë vdesin. Njerëzit e vërtetë janë në ato vija të frontit dhe njerëzit e vërtetë janë në ato automjete. Trupat e vërtetë po copëtohen nga eksplozivët e fortë”.
Milley shtoi: “Ajo që kisha thënë ishte se kjo do të zgjasë gjashtë, tetë, 10 javë, do të jetë shumë e vështirë. Do të jetë shumë e gjatë, dhe do të jetë shumë, shumë e përgjakshme. Dhe askush nuk duhet të ketë asnjë iluzion për këtë”. /Telegrafi/