Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar që të pezullohen punimet në rrugën R108, e cila, siç thuhet në njoftim në një pjesë të saj, e prek zonën e veçantë të mbrojtur të Manastirit të Deçanit.
Në njoftimin për media thuhet se kryeministri Hoti e vlerëson rëndësinë jetike që ka kjo rrugë për qytetarët e kësaj ane dhe përtej saj, megjithatë duhet respektuar legjislacioni në fuqi i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“Duke e ditur ndikimin e drejtpërdrejtë të kësaj rruge në ekonominë dhe në cilësinë e jetës së banorëve të Komunës së Deçanit, kryeministri Hoti e mbështet shqyrtimin e të gjitha mundësive ligjore dhe praktike në terren për ta kompletuar këtë rrugë që e lidh Republikën e Kosovës me Republikën e Malit të Zi. Kryeministri Hoti rithekson përkushtimin e plotë të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për t’i ruajtur dhe për t’i respektuar objektet sakrale si një vlerë e përbashkët e trashëgimisë së pasur shpirtërore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, një ditë më parë kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj kishte thënë se për një asnjë çmim nuk do të ndalet ndërtimi i rrugës që kalon afër zonës së Manastirit.
Ai ka thënë se punimet kanë filluar dhe janë duke vazhduar për rregullimin e rrugës, por që dy ditë janë aktivizuar si personeli i Manastirit po ashtu edhe zyrtarët e lartë të nivelit qendror dhe ndërkombëtar që t’i pengojnë punimet në ndërtimin e rrugës së jetesës për deçanasit.
Lidhur me këtë, kryetari Ramosaj ka pasur takim edhe komandantin e KFOR-it.
Ndalimin e menjëhershëm të punimeve e ka kërkuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq. Madje, ai ka kërkuar nga Brukseli që të ushtrojë presion ndaj Prishtinës. /Telegrafi/