Kryeministri holandez, Mark Rutte ka reaguar ashpër pas miratimit të një ligji diskriminues për komunitetin LGBTQ në Hungari.
Me të mbërritur në Këshillin Evropian në Bruksel, Rutt tha se Hungaria, me ligjin e saj që konsiderohet të diskriminojë komunitetin LGBT, “nuk ka çka të kërkojë në Bashkimin Evropian (BE)”.
“Për mua (me këtë ligj), ata (hungarezët) nuk kanë më asgjë për të bërë në BE, por unë nuk vendos vetë. Ka 26 vende të tjera”, u tha ai gazetarëve, duke shtuar se BE është një” bashkësi vlerash “.
Në mes të qershorit, Parlamenti Hungarez miratoi një ligj që ndalon “promovimin” e homoseksualitetit midis të miturve, raporton rte.
Kryeministri hungarez, Viktor Orbán hodhi poshtë pretendimet se ligji i ri i diskutueshëm hungarez minon të drejtat e personave LGBT.
“Ligji nuk zbatohet për homoseksualët. Ka të bëjë me atë lloj edukimi seksual që prindërit duan të kenë fëmijët e tyre”, tha Orban pasi mbërriti në samitin e Bashkimit Evropian në Bruksel.
Drejtuesit e 16 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian bënë thirrje sot, në prag të samitit në Bruksel, për të respektuar “vlerat themelore” të Bashkimit. Pa përmendur Hungarinë, udhëheqësit shprehën keqardhje në letër për shkeljen e të drejtave themelore dhe “veçanërisht parimin e mos-diskriminimit bazuar në orientimin seksual”. /Telegrafi/