Telegrafi

Kryeministri britanik sinjalizon se Ukraina mund të përdor raketat Storm Shadow për të sulmuar brenda Rusisë

Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se i takon Ukrainës të vendosë se si do të përdorë raketat Storm Shadow që ia ka dhënë Britania, një tregues se forcat ukrainase do të lejohen të godasin objektivat brenda Rusisë.

Ai theksoi se ndihma e ofruar nga Britania e Madhe ishte “për qëllime mbrojtëse”, por Kievi mund të “vendosë se si t’i vendosë ato për qëllime mbrojtëse”, transmeton Telegrafi.

Bloomberg dha më shumë detaje të përgjigjes se Starmer për pyetjen, e cila erdhi teksa po fliste me gazetarët rrugës për në samitin e NATO-s në Washington.

Kjo media amerikane citoi liderin laburist të thoshte se raketat me rreze të gjatë veprimi duhet “natyrisht të përdoren në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare”.

Ish-sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, i cili ishte pjesë e qeverisë së mëparshme konservatore, bëri komente të ngjashme lidhur me përdorimin e raketave Storm Shadow nga Ukraina në fillim të këtij viti.

Asokohe, Rusia e pati cilësuar si “një deklaratë shumë të rrezikshme”. Në anën tjetër pas deklaratave të Starmer ka reaguar edhe sot Kremlini.

Dmitry Peskov zëdhënës i Kremlinit ka thënë “nëse është e vërtetë”, atëherë është një veprim tjetër i pamatur që do të rriste tensionet. /Telegrafi/