Site icon Telegrafi

Kryeministri britanik nuk mbështet idenë e Trumpit për zgjedhje në kohë lufte në Ukrainë

Ka ardhur një reagim nga Keir Starmer përmes një zëdhënësi, i cili ka deklaruar se kryeministri britanik ka zhvilluar një telefonatë me Volodymyr Zelenskyn, ku i ka ofruar mbështetje në luftën kundër Rusisë dhe mos mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në shtetin ukrainas gjatë kohës së luftës.

“Kryeministri shprehu mbështetjen për presidentin Zelensky si liderin e zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës dhe tha se është plotësisht e arsyeshme që zgjedhjet të pezullohen gjatë kohës së luftës, ashtu siç bëri Mbretëria e Bashkuar gjatë Luftës së Dytë Botërore”, tha ai.

“Kryeministri përsëriti mbështetjen për përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për të arritur një paqe të qëndrueshme në Ukrainë që do ta pengonte Rusinë nga çdo agresion i ardhshëm”, shtoi Starmer.

Lexo po ashtu Trump e quan Zelenskyn një diktator

Siç ka raportuar më herët skynews, Donald Trump e cilësoi Zelenskyn si një “diktator” dhe tha se ai “refuzon të mbajë zgjedhje”.

Ukraina është nën ligjin ushtarak që nga fillimi i luftës në shkurt 2022.

Zgjedhjet presidenciale ishin planifikuar për pranverën e vitit 2024, por ligji ukrainas ndalon mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare ose presidenciale gjatë një gjendjeje të ligjit ushtarak. /Telegrafi/

Exit mobile version