Duke folur për Sky News në Hiroshima, Rishi Sunak kishte përgjigje të gatshme për politikën dhe pozicionin ndaj Ukrainës.
Disa orë më parë, kryeministri britanik kishte ndaluar importin e diamanteve ruse ndërsa beson se vendet e tjera të G7 do të ndjekin shembullin e Mbretërisë së Bashkuar.
“Rusia duhet të dijë se ne dhe vendet e tjera jemi të palëkundur në vendosmërinë tonë për të mbështetur Ukrainën, jo vetëm këtu dhe tani me burimet që i duhen për të mbrojtur veten, por edhe për një afat të gjatë”, tha kryeministri.
Ndërkohë, duke folur me gazetarët dje përpara mbledhjes, një zyrtar amerikan tha se përpjekjet e fundit të G7 kanë për qëllim tkurrjen e aftësive të Rusisë për të marrë materialet që i nevojiteshin për fushën e betejës.
“Angazhimi ynë për të vazhduar shtrëngimin e vidave ndaj Rusisë mbetet po aq i fortë sa ishte vitin e kaluar”, tha zyrtari, raporton skynews.
SHBA dhe aleatët e saj, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe, kanë vazhduar të rritin sanksionet dhe presionin e kontrollit të eksporteve ndaj Rusisë që nga pushtimi i Ukrainës. /Telegrafi/