Telegrafi

Kriza energjetike, PDK tha se janë shtatë-tetë persona që i dinë të gjitha zhvillimet, Prokuroria: Do t’i shqyrtojmë të gjitha pretendimet

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në një konferencë për media të mbajtur të martën, derisa ka akuzuar Qeverinë Kurti për “keqpërdorime në sektorin e energjisë”, ka thënë se janë shtatë ose tetë persona në institucionet e Republikës së Kosovës që “i dinë këto zhvillime”.

Lidhur me këtë, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë i kanë thënë Telegrafit se Prokurori i Shtetit do t’i analizojë dhe shqyrtojë të gjitha pretendimet e dhëna në këtë konferencë.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit do t’i analizojë dhe shqyrtojë të gjitha pretendimet e dhëna në këtë konferencë, për të vendosur tutje lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Laureta Ulajt, zëdhënëse e kësaj prokurorie.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri dhe kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Tregti dhe Ndërmarrësi nga kjo parti, Ferat Shala, të martën para mediave kanë prezantuar të dhënat e sasisë së prodhimit të energjisë elektrike, importit dhe eksportit në katër muajt e fundit në Kosovë.

Lexo po ashtu PDK kërkon nga pozita të mos e bllokojë formimin e Komisionit Hetimor për energjinë

Sipas këtyre të dhënave të prezantuara nga ky subjekt opozitar, gjatë kësaj periudhe Korporata Energjetike e Kosovës kishte mbuluar me anë të prodhimit mbi 90 për qind të kërkesës për konsum dhe kishte bërë edhe eksportim.

Lexo po ashtu Akuzat për eksport të energjisë në periudhën e krizës, KEK del me deklaratë

Ndaj, nga kjo parti e kanë vlerësuar si urgjente nevojën e themelimit të Komisionit Hetimor parlamentar për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, nismë kjo të cilën subjekti e ka ndërmarrë mbi një muaj më parë.

Lexo po ashtu Kusari-Lila: Kemi proceduar kërkesën me 40 nënshkrime për themelimin e Komisionit Hetimor për energjinë

Kjo nismë ishte kundërshtuar nga pozita, ndaj dhe nuk kishte arritur të miratohej në seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovës. Për këtë arsye, partitë opozitare kanë bojkotuar seancën e Kuvendit dhe mbledhjet e Komisioneve Parlamentare.

Formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar i cili do të hetojë menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, do të jetë temë diskutimi sërish në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës. Në rend dite, deputetët e kësaj legjislature kanë edhe propozimin e 40 deputetëve për caktimin e këtij komisioni. /Telegrafi/