Ukraina pritet të vuaj mungesën e municionit edhe për disa muaj, derisa perëndimi të ndërmerr hapat e mëtejshëm për të mbështetur Kievin.
Siç raporton The Guardian, kështu të paktën pretendon kreu i Forcave të Armatosura të Britanisë së Madhe, Admirali Sir Tony Radakin, transmeton Telegrafi.
Duke folur në një konferencë në Londër, Radakin nuk komentoi drejtpërdrejt sugjerimin francez për vendosjen e trupave tokësore perëndimore në Ukrainë, por në vend të kësaj theksoi nevojën urgjente për të rritur ndihmën industriale.
I pari i ushtrisë britanike tha se Ukraina është përballur me një situatë të vështirë në terren, pasi ushtria e saj “ka mungesë të municionit dhe rezervave”, në veçanti po vërehet shumë që kur republikanët në Kongresin amerikan stopuan një ndihmë tjetër ushtarake, dhe se Evropa akoma nuk po arrin ta mbushë hendekun e nevojshëm.
Presidenti amerikan Joe Biden, u takua të martën me udhëheqësit e Kongresit në Shtëpinë e Bardhë për bisedime mbi projektligjin e ndihmës për Ukrainën, në një takim të përshkruar nga udhëheqësi i shumicës së Senatit, Chuck Schumer, si intensiv.
Radakin tha se bisedat po zhvillohen midis aleatëve të NATO-s rreth asaj “si mund të forcojnë mbështetjen për Ukrainën” – me njoftime të reja që priten në ose në prag të samitit të NATO-s në korrik në Uashington DC.
Rusia ishte tashmë “në nivelin taktik duke fituar sasi relativisht të vogla territori”, tha shefi ushtarak, duke përfshirë qytetin e frontit lindor të Avdiivka, i kapur pas pesë muajsh, ku Rusia humbi 17 mijë ushtarë dhe 30 mijë tjerë u plagosën.
Luftimet intensive po zhvillohen tani pranë Chasiv Yar, një qytet tjetër në Donbas, ku Ukraina u tërhoq pasi humbi Bakhmutin vitin e kaluar.
“Beteja të ashpra po zhvillohen tashmë në periferi” të Ivanivske dhe Bogdanivka, dy fshatra menjëherë në lindje, tha zëdhënësi i ushtrisë ukrainase, Ilia Yevlash.
“Mendoj se kjo është gjendje e vështirë që ka të ngjarë të zgjasë për të paktën disa muajt e ardhshëm”, përfundoi Radakin, duke sugjeruar se Kievi ka të ngjarë të jetë në gjendje të zhvillojë një kundërofensivë të re deri në fund të verës, dhe me shumë gjasa vitin e ardhshëm.
Të hënën, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se dislokimi i trupave tokësore në Ukrainë nuk duhet të përjashtohet, megjithëse ai pranoi se nuk kishte “konsensus” mbi këtë temë midis vendeve aleate. /Telegrafi/