Telegrafi

Kremlini: Operacioni ushtarak mund të përfundojë në të ardhmen e parashikueshme

Dmitry Peskov, një zëdhënës i presidentit rus Vladimir Putin, tha se “operacion special ushtarak”, siç e quan Kremlini pushtimin e Ukrainës, mund të përfundojë në “të ardhmen e parashikueshme”, raporton agjencia ruse TASS.

Peskov tha se “Rusia shpreson që operacioni të arrijë qëllimet e saja ose të përfundojë falë negociatave midis delegacioneve ruse dhe ukrainase në ditët e ardhshme, në të ardhmen e parashikueshme”.

I pyetur sot nga gazetarët nëse mund të jetë vërtet çështje ditësh, Peskov tha se “Po flasim për të ardhmen e parashikueshme”.

Lexo po ashtu Rusia pranon se ka pësuar humbje të rëndësishme ushtarake në Ukrainë

I pyetur se në çfarë bazohen parashikime të tilla, Peskov tha se “Operacioni vazhdon dhe qëllimet e tij po arrihen”.

“Ushtria jonë po bën një punë të madhe në drejtim të avancimit të operacionit dhe rezultatet po arrihen nga negociatorët që po bisedojnë me kolegët e tyre ukrainas”, tha Peskov.

Ndryshe, Turqia ka qenë deri më tani shteti që ka mirëpritur delegacionet ukrainase dhe ruse për bisedimet e paqes. /Telegrafi/