Beteja të ashpra midis forcave ruse dhe atyre të fundit që po tentojnë të mbrojnë Mariupolin po zhvillohen në fabrikën e çelikut Azovstal, kanë thënë zyrtarët.
Siç edhe dihet tani, pavarësisht përpjekjeve për të evakuuar civilët e bllokuar në kompleksin në fjalë, qindra njerëz kanë mbetur të bllokuar, duke përfshirë rreth 30 fëmijë, tha kryebashkiaku i qytetit.
Por çfarë dihet deri më tani për fabrikën?
- Fabrika, e vendosur në jug të qytetit port të Mariupol, është “skena” e një qëndrese të ukrainasve kundër forcave pushtuese të Rusisë.
- Deri kohët e fundit Azovstal ishte një lojtar kryesor në skenën globale, duke prodhuar 4 milionë tonë çelik në vit dhe duke eksportuar shumicën e tij, sipas pronarit të saj Metinvest Holding, prodhuesi më i madh i çelikut në Ukrainë, përcjell Telegrafi.
- Madje, nga rrokaqiejt Shard i Londrës te Hudson Yards në Manhattan deri te Ura San Giorgio e Gjenovës (e cila zëvendësoi urën e shembur Morandi), çeliku i prodhuar në Azovstal përdoret në disa nga monumentet më të njohura në botë.
- Të paktën 150 punonjës janë vrarë dhe mijëra mbeten të pagjetur, tha Yuriy Ryzhenkov, CEO i Metinvest Holding, i cili zotëron fabrikën.
- Para luftës, uzina punësonte 11,000 njerëz, tha ai, dhe stafi i kompanisë përfshin dinastitë familjare që kanë prodhuar çelik për aq kohë sa ata kujtojnë.
Çfarë dimë për situatën atje?
- Komandanti i ushtarëve të Regjimentit Azov brenda uzinës, nënkoloneli Denys Prokopenko, thotë se brenda kompleksit ka “beteja të ashpra dhe të përgjakshme” pasi forcat ruse depërtuan në perimetrin e tij.
- Kryetari i bashkisë së Mariupolit, Vadym Boichenko tha të mërkurën “artileri të rënda dhe tanke po qëllojnë në të gjithë kalanë, aviacioni gjithashtu, anijet janë afruar dhe po qëllojnë gjithashtu mbi kala”.
- Boichenko bëri të ditur se kishte 30 fëmijë të bllokuar në fabrikë që ende prisnin të shpëtoheshin.
- Fundjavën e kaluar, më shumë se 100 civilë u evakuuan nga fabrika e çelikut Azovstal dhe arritën të sigurt në Zaporizhzhia.
- Luftëtarët brenda uzinës së rrethuar po “ndajnë ujë dhe ushqim” me civilët – por koha po mbaron, tha zëvendës komandanti Svyatoslav Palamar.
- Të mërkurën, ministri i jashtëm ukrainas tha se uzina ende “po mbahet” pavarësisht sulmeve të pamëshirshme ruse.
- Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se pret të hapë korridoret e evakuimit për civilët nga uzina e çelikut Azovstal pranë Mariupol duke filluar nga e enjtja. /Telegrafi/