Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi i ka reaguar deputetes së VV-së, Albulena Haxhiu pasi që kjo e fundit akuzoi PSD-në se sot ua mundësoi kuorumin në Kuvend partive të koalicionit qeverisës.
Haxhiu madje ka thënë se PSD po dëshiron t’i bëhet patericë Ramush Haradinajt e Kadri Veselit e më vonë edhe presidentit Hashim Thaçi.
Lidhur me këto akuza, deputeti Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se PSD është pritje të VV-së që t’ua jap nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë.
” Ligjet që u votuan sot, ishin ligje për të mirën e qytetarëve dhe jo mbështetje e Qeverisë. Ato ligje i votoi edhe VV, gjë që shpërfaq edhe më hapur mashtrimin dhe hipokrizinë e tyre kur i akuzojnë të tjerët se po ia votojnë qeverisë ligjet”, ka shkruar Krasniqi.
Postimi i plotë:
Albulena Haxhiu paska vazhduar akuzat hipokrite se PSD po e mban Qeverinë Haradinaj.
Ne ende jemi duke e pritur VV-në që t’na i jep ose kërkojë nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë dhe nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme ku do të pamundësonim drejtimin e dialogut nga Hashim Thaçi.
Ligjet që u votuan sot, ishin ligje për të mirën e qytetarëve dhe jo mbështetje e Qeverisë. Ato ligje i votoi edhe VV, gjë që shpërfaq edhe më hapur mashtrimin dhe hipokrizinë e tyre kur i akuzojnë të tjerët se po ia votojnë qeverisë ligjet.
Kërkoni ose jepni nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë, dhe PSD-në e keni të gatshme! Kërkoni ose jepni nënshkrimet për ta parandaluar drejtimin e dialogut prej Thaçit, dhe PSD-në e keni të gatshme!
Përndryshe, çdo akuzë e keni mashtrim e çdo shpifje po e bëni për ta fshehur të vërtetën që ju s’po doni zgjedhje, dhe që ju jeni dorëzuar para Hashim Thaçit. /Telegrafi/