Telegrafi

Krasniqi me kritika për qeverisjen trevjeçare të Kurtit, ia përmend edhe shtatoren në Podujevë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka hedhur akuza të shumta ndaj kryeministrit Albin Kurti për këto tri vite qeverisje.

“Tri vite i mjaftuan Albin Kurtit në pushtet që premtimet t’i kthejë në mashtrim dhe shpresat në zhgënjim.  Tri vite të mbushura me keqqeverisje, paaftësi dhe afera korruptive, përmes së cilave është përkeqësuar jeta e qytetarëve tanë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

I pari i PDK-së thotë se kjo qeveri ka rrezikuar vazhdimisht të ardhmen euro-atlantike të Kosovës.

“Tri vite përplot me veprime të papërgjegjshme, përmes së cilave është rrezikuar vazhdimisht e ardhmja euro-atlantike e shtetit tonë. Tri vite kundër secilit aleat të Kosovës, posaçërisht SHBA-së, tashmë edhe si politikë zyrtare qeveritare”.

Sipas liderit opozitar, me këtë qeveri Kosova ka pasur regres në të gjitha fushat.

“Krejt çka kjo Qeveri i ka sjellë Kosovës për këtë periudhë është: stagnim në ekonomi, kolaps në shëndetësi, degradim në arsim, hajni me energji dhe rezerva shtetërore, dështim në infrastrukturë, skandale në politikë të jashtme, izolim ndërkombëtar dhe sanksione për Kosovën”.

Krasniqi nuk ka lënë pa përmendur edhe shtatoren e Kurtit që u përurua sot në Podujevë.

“Për ta, e rëndësishme është që kulti i liderit të jetojë, qoftë edhe përmes një statuje qesharake prej bronzi – mbi varfërinë e qytetarëve dhe të ardhmen e cenuar të shtetit tonë”.

“Përbuzja – është e vetmja trashëgimi politike të cilën ky pushtet po e lë mbrapa, tashmë, në kilometrat e fundit të tij!”, ka përfunduar shkrimin i pari i PDK-së./Telegrafi/