Telegrafi

Krasniqi flet për masat anti-COVID: Duhet të përcillet me vëmendje situata epidemiologjike dhe të veprohet në bazë të numrave

Foto: Ridvan Slivova

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka thënë se për momentin situata me COVID-19 është e qetë dhe e menaxhueshme, por duhet të përcillet me vëmendje situata epidemiologjike dhe karshi rritjes së numrave të rasteve me coronavirus të veprohet me masa tjera.  

Krasniqi në një prononcim për Telegrafin tha se duke parë situatën me COVID-19 në rajon dhe në botë, duhet të ketë kujdes të shtuar dhe përgatitje për çdo situatë të mundshme edhe në Kosovë.

“Situata me COVID-19 në Kosovë tani është më e qetë, e kemi nën kontroll, pra e menaxhueshme. Jemi dëshmitarë që tri javët e fundit kemi numër më të vogël të rasteve të reja të infektuara dhe si rezultat i kësaj kemi edhe numër më të madh të pacientëve që kërkojnë trajtim spitalor. Sidoqoftë duke parë situatën epidemiologjike të vendeve për rreth të rajonit dhe vende tjera të botës, ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përgatitur për çdo situatë të mundshme”, u shpreh ai.

Lexo po ashtu ​Hoti: Pritet rritje e numrit të infektimeve, do të ketë shtrëngim të masave

I pyetur nëse do të fillojë shtrëngimi i masave kundër coronavirusit, ashtu siç ka paralajmëruar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, Krasniqi tha se duhet të përcillet me kujdes situata epidemiologjike dhe të veprohet në bazë të numrave.

“Ne duhet ta përcjellim me vëmendje të madhe situatën epidemiologjike dhe karshi numrave duhet edhe të veprohet”, tha Krasniqi për Telegrafin.

E megjithatë, Krasniqi tha se po shpresojnë që qytetarët tashmë e kanë kuptuar se virusi ekziston, pandemia ende është prezentë dhe duhet të vazhdojmë me respektim të këtyre masave.

Krasniqi tha se presin mirëkuptimin e qytetarëve sa i përket zbatimit të masave.

U.D së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi

“Çdo mosrespektim i këtyre masave do të na shpije në rrugën e kundërt dhe ne nuk dëshirojmë të ecim rrugës që kemi qenë muajve të kaluar, sidomos gjatë korrikut e gushtit. Andaj për këtë arsye presim mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve për sa i përket zbatimit të këtyre masave që tashmë i dinë të gjithë qytetarët, janë masat më të lehta dhe më së paku të kushtueshme për secilin prej nesh, pra bartja e maskës, ruajtja e distancës fizike dhe higjiena personale”, porositi Krasniqi.

Kalimi i kësaj periudhe të vështirë, siç tha Krasniqi varet nga zbatimi i masave të marra nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

“Nëse të gjithë ne si qytetar por edhe si institucione i zbatojmë masat në mënyrën më të mirë dhe në masën më të madhe të mundshme, gjasat janë që ta kalojmë më mirë këtë periudhë”, tha Krasniqi për Telegrafin.

Ndryshe, kryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar se në javët e ardhshme mund të ketë një rritje të numrit të rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë dhe si rrjedhojë e kësaj pritet edhe shtrëngimi i masave. /Telegrafi/